Pas studimeve një vjeçare, Kolonel Ismajl Brahimi, diplomoi me sukses të lartë në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, në Fort McNair, Washington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare është institucioni më i avancuar i edukimit të liderëve strategjik, që funksionon nën autoritetin e Kryesuesit të Shefave të Përbashkët të Shtabeve, si autoriteti më i lartë ushtarak në SHBA.
Kolonel Brahimi është oficeri i parë nga Kosova që ka ndjekur programin në Kolegjin Kombëtar të Luftës i cili për mision ka të edukojë drejtuesit e ardhshëm të Forcave të Armatosura, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera civile, duke kryer një studim të nivelit të lartë në strategjinë e sigurisë kombëtare.
Paralelisht me diplomën e edukimit profesional ushtarak, Kolonel Brahimi ka diplomuar edhe në gradën Master në Shkencat e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.
Në ceremoninë e veçantë, diplomën e pranoi nga Kryesuesi i Shefave të Përbashkët të Shtabeve, General Mark A. Milley, i shoqëruar nga President i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Gjenerallejtënant Michael Plein si dhe Gjeneral brigade Jeff Hurlbert Komandant i Kolegjit Kombëtar të Luftës.
Ky shkollim është mundësuar me mbështetjen e Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Ambasadës së SHBA-së, në Prishtinë, njofton Forca e Sigurisë së Kosovës. /2LONLINE/