Koha për poezi (Linditë Ramushi – Dushku) – Kjo poezi është lexuar në takimin poetik “Pranvera poetike durrsake”, më 17 maj, 2014..
E PREMTJA E BARDHË
Më vjen anës detit një të premte të bardhë
këmbësh bregut antik
si valë e qetë, e shkumbëzuar
pa dallgë
i etur për dashuri.
Unë vij në anën tënde
fërfëllëzë
përtej këtij deti sa shtigje kish gërryer këmba ime
fustani ngjitur rrëfime
gjurmë malli ndër vite për hyjninë e buzëve
të skuqura prush.
Sikur të ishte gusht
shpirti mu çel hapekrahë
u fashit
e këndellë disa herë
ajo ditë zinxhir perlash të bardha
…një varg lidhur rreth qafes së gjatë
gjetur diku thellësive.
Duke lodruar ecjeve të kësaj stine
padjallëzuar valvitem trupit tënd.
Sa e bardhë ish kjo e premte
që ngarend rreth ëndërrës së vërtetë
dy palë hapa drejtuar drejt një pike
…në këtë të premte të bardhë shtrëngohem fort
e ndez zjarr në buzët tua.
Linditë RAMUSHI – DUSHKU