Për koincidencë, edhe gjatë procesit të bisedimeve të Vjenës 2005 -2007, Kryeministri i Kosovës ishte nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëjtë ishte krijuar një Ekip Uniteti dhe ishin caktuar grupe e komisione të veçanta për çdo pikë të marrëveshjeve, siç po veprohet tani.
Shkruan: Shemsi SYLA
Qeveria e atëhershme kishte hapur kuletën e buxhetit të shtetit duke u dhënë edhe paga të majme shtesë përfaqësuesve në këto bisedime. Njëjtë ka filluar të veprojë edhe qeveria e tanishme, e cila, sa për fillim ka ndarë një shumë prej 300 mijë eurosh për nevojat e Ekipit Negociator e nuk përjashtohet mundësia që të propozohen edhe paga shtesë për këta përfaqësues të shtetit.
Kjo ngutje për të hartuar Drafte për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse me Serbinë e për të krijuar Ekip Negociator dhe staf mbështetës që do ti kushtoi buxhetit të shtetit miliona euro kanë krijuar një huti dhe shqetësim në opinionin publik dhe këtë përshpejtim pushteti aktual po e bënë edhe për të amortizuar pakënaqësitë e qytetarëve, për të anashkaluar debatin lidhur me korrupsionin, nepotizmin e krimin e organizuar, me synim që e gjithë vëmendja të kthehet te bisedimet me Serbinë dhe keqqeverisja të vazhdojë e papenguar rrugën e saj duke mbushur xhepat duke vjedhur buxhetin e shtetit.
Tash pas 10 viteve të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas 6 viteve bisedime me Serbinë në Bruksel, Qeveria e Kosovës ka shfaqur gatishmërinë që përmes një Draft-dokumenti për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë të rinegociojë edhe njëherë të gjithë sistemin e ndërtuar në Kosovë, duke hapur tema me Serbinë që nga mbrojtja e të drejtave të njeriut (që ka të bëjë ekskluzivisht për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë), ekonominë, drejtësinë, arsimin, simbolet kombëtare, transportin , energjinë, pronën etj.
Dhe për të gjitha këto tema pas dakordimit të palëve do të formohen komisione të përbashkëta për të mbikëqyrur zbatimin e tyre. Prandaj edhe lind pyetja: Këta liderë shtetërorë do të bisedojnë me Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur apo po bisedohet për një konfederatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Sepse nuk ka askund në botë praktika të tilla që për zbatimin e marrëveshjeve reciproke ndërmjet dy shteteve të pavarura, të formohen komisione të veçanta mbikëqyrëse.
Qeveria në një anë harton draft për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe në anën tjetër bën thirrje për një unitet dhe krijim të një ekipi të përbashkët pozitë-opozitë për këto bisedime, por kur opozita kërkon debat parlamentar për të diskutuar draftet e tilla, pozita bojkoton seancën parlamentare, ashtu siç ndodhi sot.
Në njërën anë caktohet seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës për të diskutuar lidhur me draft-marrëveshjen e hartuar nga Qeveria e në anën tjetër bojkotohet seanca parlamentare duke duplifikuar agjenda qëllimisht, për ta sabotuar opozitën dhe debatin për këtë Draft-marrëveshje.
Me këtë veprim të papërgjegjshëm, koalicioni qeverisës sot tregoi se propozim-dokumentet e tyre nuk është e gatshme t’i debatojë me opozitën dhe nuk pranon vërejtjet dhe propozimet e saj. Koalicioni qeverisës nuk ka guxim të përballet me opozitën për të debatuar lidhur me draft-marrëveshjen, sepse në radhë të parë, origjinali i këtij draft-dokumenti është në gjuhën angleze që do të thotë se Qeveria nuk është autor i dokumentit në fjalë dhe nuk di të mbrojë atë çka shkruan në dokument, prandaj, ka zgjedhur rrugën e sabotimit të debatit.
Qeveria, që ishte në zgripës të rënies nga pushteti, pas bashkëngjitjes së partisë artificiale PSD-së, është trimëruar dhe po shfaq shenja autoritare, sepse për momentin e ka shmangur rrezikun e rënies dhe dita ditës po e relativizon edhe acarimin e raporteve me Presidencën dhe ka shfaqur gatishmëri të negociojë me Serbinë të gjithë sistemin e deritanishëm të shtet ndërtimit të Kosovës. Shembulli konkret i këtij relaksimi u pa sot, kur Presidenti i doli në ndihmë Qeverisë duke thirrur seancë të jashtëzakonshme pa kurrfarë paralajmërimi, me të vetmin qëllim që ta pamundësojë debatin e sotëm parlamentar.
Hapja e të gjitha temave me Serbinë është rrezik i madh po aq sa është rrezik bisedimi për shkëmbim të territoreve. Gatishmëria për ta bërë Serbinë mbikëqyrëse të të gjitha proceseve që dalin nga një marrëveshje e mundshme do të thotë minim i sovranitetit, integritetit e subjektivitetit shtetëror të Kosovës.