Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Shipashnicë të Poshtme të Kamenicës.
Reagim i KMDLNj-së
TENSIONIM I PANEVOJSHËM NË KAMENICË, KOMUNA KA PËRGJEGJËSI PËR ARSIM!
Në disa fshatra të Komunës së Kamenicës, kohë më parë ka filluar një reformë në fushën e arsimit që ka nënkuptuar se disa shkolla do të mbyllen dhe se nxënësit do të zhvendosen në shkollat e fshatrave që nuk janë larg nga vendbanimi e që shpenzimet për transport deri te shkolla e re do të mbuloheshin nga buxheti i Komunës së Kamenicës. Që në fillim, një numër i prindërve por edhe i personelit arsimorë ka kundërshtuar këtë zhvendosje, fillimisht vetëm verbalisht e më vonë edhe me organizimin e protestave.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) nga fillimi ka përkrahur reformat e nisura në Komunën e Kamenicës duke konsideruar se kjo është përgjegjësi ekskluzive e komunës përkatësisht Drejtorisë Komunale për Arsim (DKA) dhe kryetarit të komunës dhe ka kundërshtuar çdo ndërhyrje nga jashtë të cilët nuk kishin asnjë interes në Komunën e Kamenicës përveç ndërhyrjeve për interes politik.
E kemi një situatë absurde në një shtet ku ligjet vlejnë për të gjithë qytetarët apo, së paku ashtu shkruan në dokumentet zyrtare; në kohën kur në komunat me shumicë serbe, komuna e organizon sistemin arsimorë nga niveli parashkollorë e deri te ai universitar dhe ku mësohet me planprogramet e Serbisë, në Komunën e Kamenicës kjo e drejtë iu mohohet DKA-së dhe kryetarit të komunës, Qëndron Kastratit, ndonëse me asgjë nuk e kanë shkelur ligjin dhe nuk ka punuar kundër interesave të vendit, të komunës dhe të vet nxënësve.
E drejta për një arsim cilësorë është e drejtë e njeriut dhe të gjithë ata që janë kundër janë shkelës të të drejtave të njeriut. Mësimdhënia dhe mësimnxënia në një mjedis jo të përshtatshëm social, në kushte jo të mira fizike, klasë me 2-3 nxënës, klasë ku mbajnë mësim nxënës të moshave të ndryshme, situatë kur një mësues apo arsimtar jep shumë lëndë mësimore nuk siguron cilësi për një arsim por, madje është shumë dekurajuese për një nxënës dhe një mësimdhënës dhe ua mohon mundësinë për një të ardhme më të mirë sikur që i lë në pozitë të pabarabartë këta nxënës gjatë konkurrimit për nivel më të lartë të arsimit.
Reformat e filluara të arsimit nga DKA-ja e Kamenicës dhe kryetari Qëndron Kastrati kanë për qëllim të krijojnë kushte më të mira për nxënësit dhe arsimtarët sikur që e racionalizon buxhetin e komunës për arsim. Kjo reformë krijon një mjedis social për të gjithë nxënësit duke krijuar klasa të kompletuara dhe duke e afirmuar konkurrencën e dijes midis nxënësve. Gjithashtu, kjo reformë nuk ka për qëllim të largojë nga puna mësimdhënësit prandaj kjo frikë është e pambështetur .
Zhvillimet e fundit sidomos në fshatin Shipashnicë e Poshtme i qesin një hije të keqe të gjithëve, nxënësve, arsimtarëve, prindërve, zyrtarëve të Komunës së Kamenicës dhe Policisë së Kosovës e cila ka intervenuar në zbatim të Ligjit. Në Kosovë nuk është vetëm Kamenica që ka filluar reforma në arsim mirëpo nuk ka pasur reagime sikur në Kamenicë. Duket se është duke u zhvilluar një fushatë kundër kryetarit Kastrati e që ka një prapavijë politike, ndryshe si mund të kuptohet ndërhyrja në kompetencat që ekskluzivisht i takojnë komunës dhe kryetarit të saj.
KMDLNj-ja ka përkrahur fillimin e reformave të arsimit në Komunën e Kamenicës, i përkrahë edhe sot, deri në momentin kur nuk e dëmtojnë interesin e nxënësve, angazhohet për krijim tëkushteve për një arsim cilësorë, i përkrah kompetencat e DKA-së dhe kryetarit të komunës sikur që kërkon përgjegjësi nëse punojnë jashtë kompetencave të lejuara me ligjet në fuqi. Kërkesat për shkarkim të kryetarit Kastrati nga deputetë që nuk e bëjnë punën si duhet në vendin e tyre të punës, KMDLNj-ja i konsideron si bashkëngjitje dhe fushatës kundër DKA-së në Kamenicë dhe kryetarit Kastrati dhe përpjekje për linçim, tash nga një pozitë më e lartë dhe me armë më të rënda verbale. Nga kjo situatë e tensionuar e që, sipas KMDLNj-së është krijuar pa asnjë nevojë, zgjidhja është shumë e lehtë, respektimi i ligjit dhe kompetencave që iu jep ligji për të gjithë, pa bërë asnjë dallim dhe diskriminim.
Edhe ashtu, për shkak të mungesës të një reforme të mirëfilltë në fushën e arsimit, e kemi një gjendje siç e kemi, pandemia e shkaktuar nga Covid-19 e ka thelluar edhe më shumë këtë agoni sikur që edhe pengimi i reformave do t’i vë gozhdën e fundit arkivolit në të cilin është shtrirë arsimi kosovar, në të gjitha nivelet! /2LONLINE.com/