Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga deputetët që të votojnë Avokatin e Popullit.
KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në numër të nevojshëm dhe të votojnë në mënyrë që Avokati i Popullit të zgjidhet në afatet e parapara me ligj dhe të mos përsëritet stërzgjatja e procesit.
“Prania e deputetëve dhe votimi i tyre në bazë të ndërgjegjes së tyre apo të një marrëveshjeje eventuale politike do të kontribuojë në stabilizimin dhe forcimin e këtij institucioni të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. KMDLNj, si monitorues i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve që do të votohen për Avokat të Popullit vlerëson se në mesin e të përzgjedhurve ka kandidatë që i plotësojnë të gjitha kushtet për Avokat të Popullit dhe nuk sheh arsye që të mos votohet njëri nga kandidatët e propozuar”, thuhet në kërkesën e tyre.
KMDLNj vlerëson pozitivisht punën e Panelit Intervistues i cili i ka respektuar procedurat e parapara me ligj.
KMDLNj është i vetëdijshëm se zgjedhje e Avokatit të Popullit, në mënyrën si është përcaktuar tani nuk mund të bëhet pa konsensus politik të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës prandaj thërret partitë politike që të mos pengojnë zgjedhjen e Avokatit të Popullit aq më parë që kandidatët e përzgjedhur nuk kanë asnjë agjendë politike apo që mund të konsiderohen se do ta mbrojnë interesin e njërës apo tjetrës parti politike.
KMDLNj shpreson se në seancën e Kuvendit të Kosovës më 13 mars 2014 deputetët do të votojnë në numër të mjaftueshëm për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.