Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vlerëson se deputetët janë të zgjedhurit e popullit prandaj kanë detyrim të sillen në përputhje me pritjet që kanë qytetarët nga ata.
Lexojeni të plotë reagimin e KMDLNj:
Më 17 korrik 2014 do të mbahet seanca e parë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës me ç’ rast parashihet të zgjidhen kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët në mënyrë që Kuvendi të funksionalizohet dhe se deputetët e zgjedhur do të fillojnë t’i përmbushin detyrimet, në radhë të parë ndaj qytetarëve të Kosovës në përgjithësi si dhe ndaj votuesve që kanë votuar për ta në veçanti.
Deputetët janë të zgjedhurit e popullit prandaj kanë detyrim të sillen në përputhje me pritjet që kanë qytetarët nga ata.
KMDLNj vlerëson se ka pasur ngritje të panevojshme të tensioneve rreth mbledhjes së parë inauguruese përkatësisht rreth vendeve ku do të ulen deputetët e koalicioneve apo subjekteve politike që kanë fituar mandatin për deputetë dhe këto tensione kanë qenë të sforcuara me një fjalorë kërcënues që paralajmëronte edhe dhunë në këtë seancë.
KMDLNj vlerëson se në seancën e parë inauguruese nuk do të jetë me aq rëndësi se ku do të ulen deputetët, sa është me rëndësi se kush do të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe sa vota do t’i ketë kandidati i propozuar.
Në këtë kontekst KMDLNj kërkon që deputetët të sillen në përputhje me detyrimet që i kanë ndaj qytetarit (votuesit) dhe është i sigurt se seanca inauguruese do të kalojë e qetë, pa kërcënime dhe në përputhje me rendin e ditës.
Të pakënaqurit me rezultatin eventual do të kenë mundësi që të drejtat e tyre t’i kërkojnë dhe realizojnë përmes rrugëve ligjore siç veprohet në të gjitha vendet demokratike.
Prandaj, KMDLNj kërkon që deputetët e sidomos udhëheqësit e tyre të përmbahen nga fjalori i dhunshëm duke kontribuar në mbarëvajtjen e punës së mbledhjes inauguruese të Kuvendit të Kosovës. Nuk ka asnjë arsye të veprohet ndryshe.