Arrestimi i Nazmi Ismajlit, teksa po ndërtonte shtëpinë e tij në Lagjen Kroi i Vitakut, për KMDLNj-në është i kundërligjshëm, i motivuar politikisht dhe në baza etnike.
Sipas informatave të KMDLNj –së, Qendra Rajonale në Mitrovicë, Policia e Kosovës ka arrestuar, Nazmi Ismajlin teksa po ndërtonte shtëpinë e tij në Lagjen Kroi i Vitakut. Arsyetimi i arrestimit ishte se ndërtimi po bëhej pa leje ndërtimi në shtëpinë e cila ishte djegur nga forcat serbe në vitin 1999. Paraprakisht inspektorët serbë në veri të Mitrovicës kanë urdhëruar që Nazmi Ismajli t’i ndërprejë punimet në shtëpinë e tij, pa e dhënë ndonjë arsyetim.
KMDLNj vlerëson se komunat e veriut të Kosovës ku, pas spastrimeve etnike shqiptarët kanë mbetur pakicë po zbatohen standardet e dyfishta me ç’rast serbët (kryesisht që nuk kanë qenë banorë të mëparshëm por kanë ardhur nga Serbia dhe Republika Srpska) ndërtojnë pa leje dhe këto ndërtime sponsorizohen nga Beogradi ndërsa shqiptarëve që u janë djegur shtëpitë gjatë luftës së fundit nuk u lejohet rindërtimi i shtëpive. Këtë praktikë të shëmtuar së pari e pati zbatuar UNMIK –u duke e legalizuar diskriminimin në baza etnike dhe politike në bashkëpunim të ngushtë me strukturat paralele dhe Beogradin. UNMIK pati penguar edhe ndërtimin e infrastrukturës për lokacionet ku jetojnë shqiptarët me arsyetim se këtë e kundërshtojnë serbët lokalë.
KMDLNj përkrah të drejtën e të gjithë personave të zhvendosur të kthehen në pronat e tyre, si e drejtë elementare e njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, statusit shoqërorë, politik dhe atij socio-ekonomik.
Kështu si po veprohet kemi të bëjmë me një vazhdimësi të diskriminimit në baza etnike dhe nuk mund të ketë kthim të suksesshëm të personave të zhvendosur nëse ai bëhet në mënyrë selektive e që nënkupton se është i pranueshëm për serbët e zhvendosur ndërsa pamundësohet kthimi i shqiptarëve të zhvendosur në mënyrë të dhunshme sidomos në vitet 1999 dhe 2000.
Ligji për ndërtim duhet të vlejë për të gjithë dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Rasti i arrestimit të Nazmi Ismajlit e dëshmon pikërisht të kundërtën, legalizimin e diskriminimit në baza politike dhe etnike.