(2LONLINE) – Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani, ka shënuar 13- vjetorin e themelimit. Gjatë një manifestimi të mbajtur me këtë rast, është thënë se falë punës së këtij klubi u pasqyrua jeta e qytetarëve, hallet e tyre dhe u përçua zëri i qytetarit tek pushtetarët.
Gazetari, Nexhat Buzuku ka thënë se Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është shembull i funksionimit praktikë ku me sukses ka mbrojtur etikën e gazetarisë dhe me sukses ka avancuar e përparuar jetën e rëndomtë të qytetarit gjilanas.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se ky klub e nisi punën në një barakë, për t’u shndërruar në një shtëpi mediatike, duke paralajmëruar rezultate edhe më të mëdha në vitet që po vijnë, derisa Begzad Sinani, kryetar i komunës së Kamenicës, ka theksuar se do të vazhdojnë të mbeten pjesë e Anamoravës, duke qenë i pranishëm në çdo debat e duke punuar që të ecet vazhdimisht përpara pavarësisht vështirësive.
Sabit Rrustemi, nga ARS Club Beqir Musliu, ka theksuar se puna e gazetarëve gjilanas ka qenë pikë reference edhe për mediume të tjera në nivel vendi e jashtë tij, derisa Flamur Hyseni, profesor universitar, ka theksuar se gazetarët gjilanas bënë punë të mirë, krijuan traditë dhe me përkushtim shkruan për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit.
Ndërsa përfaqësuesi OSBE-s[ ka lecuar telegramin e urimit të Ulrich Biffar, drejtor regjional i OSBE-s= në Rajonin e Gjilanit, ku thuhej se gazetarët gjilanas ishin shembull i të drejtës e ai kërkoi që edhe në të ardhmen mediet të vazhdojnë të konsiderohen të pavarura.
Sipas Biffar liria e medieve duhet të konsiderohet si njëra nga shtyllat më të rëndësishme të një shoqërie demokratike.”
Demir Krasniqit, nga shoqëria civile tha se gazetarët gjilanas ishin dritare dhe pasqyrim i tërë asaj që ndodhi në rajon, ishin të shpejtë, të drejtë e të paanshëm e ngjashëm është shprehur edhe Muharrem Bajrami nga Sindikata e pensionistëve gjilanas.
Kurse, Musa Sabedini kryetar i klubit tha me këtë rast se për këto 13 vite Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ishte arenë e të gjitha zhvillimeve pozitive në Gjilan e rajon. Sipas tij, Klub ishte edhe në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.
“Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi , ka organizuar dhe mbajtur mbi 160 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” tha Sabedini.
Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tashmë janë bërë 13 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. “E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2013 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit , Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës” ka thënë Sabedini.
Sabedini tha se gjatë këtij viti vendosëm bashkë për të mirën e qytetit, për të mirën dhe të ardhmen tonë. “Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve”, tha Sabedini.
Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. /2lonline/