Mohamed Salah nuk është aspak i mërzitur që nuk arriti të realizojë ndaj Tottenham në ndeshjen e fundit. Sulmuesi egjiptian nuk realizon që prej fitores 3-0 ndaj Bournemouth, në “Anfield”.
Madje sulmuesi egjiptian nuk është i mërzitur as për faktin që nuk shënon prej 2 muajsh. Kështu ka deklaruar sot trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp. Në prag të ndeshjes së radhës ndaj Southampton, trajneri gjerman flet për gjendjen e sulmuesit.
Sezonin e kaluar, Salah realizoi 44 gola, ndërsa këtë sezon është ndalur në kuotën 20 dhe nuk arrin të realizojë që prej 9 shkurtit. Sipas Klopp, sulmuesi ka luajtur një rol të rëndësishëm në fitoret e fundit në kampionat e veçanërisht ndaj Tottenham.
“Ne fituam me një autogol, por ishte Mohamed ai që detyroi kundërshtarin të gabojë. Ai e ndjeu sikur ky ishte një gol i realizuar prej tij. Po ashtu edhe unë. Nuk ka asnjë krizë. Mos mendoni se karriera e tij ka përfunduar. Këtë sezon mund të mos realizojë më asnjë gol, por në total i thonë mbi 60 gola në dy sezone. Jo keq. Nëse do të kisha vetëm një sulmues mund të isha në merak, por kam disa të tillë dhe Mo është në të njëjtin nivel me të tjerët. Salah i ka ndihmuar edhe të tjerët të shënojnë këtë sezon, kjo është e rëndësishme për ne”, tha Klopp.