Liverpooli e pret Bayern Munichun në ‘Anfield’ sonte mbrëma, për takimin e parë të 1/8-ës së finales në garën më elitare të futbollit në Evropë.
Përvec, trajnerit Jurgen Klopp i cili ishte pjesë e Bundesligës gjermane si trajner i Borussia Dortmundit, edhe futbollisti i Liverpoolit Xherdan Shaqiri ka një të kaluar që e lidh me Bayernin.
Kosovari me nënshtetësi zviceriane ishte pjesë e Bayernit ku edhe fitoi tituj të shumtë, ndërsa pas shortit të 1/8 së finales u kuptua se ai do të ndeshet me ish skuadrën e tij.
Kjo më pas u komentua edhe nga trajneri aktual i Liverpool, Klopp, i cili pati theksuar se për të do të jetë i mirë kthimi në Gjermani.
“E vështirë. Short i mirë. Ishte e qartë se do të ishte e vështirë dhe ata janë një top ekip. Për mua do të jetë i mirë, kthimi në Gjermani. Ne tani duhet të përgatitemi për ndeshjen, ka shumë kohë sigurisht, dhe shpresoj se deri atëherë do t’i kemi të gjithë lojtarët. Do të jetë e vështirë, por tejet interesant, dhe mezi po e pres”, kishte thënë Klopp.
Ai gjithashtu kishte folur për rikthimin e Shaqirit, “Do të jetë gjë e mirë për Mona Nemmer dhe Andreas Kornmayer [pjesëtarët e ekipit të fitnesit], si dhe për Shaq. Edhe unë do të ktaohem me ish-lojtarë, kështu që është gjë e mirë. Në fund të fundit është një ndeshje e futbollit të nivelit më të lartë dhe duhet ta luajmë atë”, kishte theksuar Klopp.
Sonte, Shaqiri pritet që ta nisë takimin nga banka rezervë, derisa në Champions ai e ka startuar vetëm një ndeshje këtë sezon [ndaj Crvena Zvezdas në Anfield].