Në takimin e parë për këtë vit të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku ka marrë pjesë edhe kryetari Lutfi Haziri, gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunën e Gjilanit, është vlerësuar stabile, por është shprehur brengosje për dy rastet e fundit të vetëvrasjes si dhe disa dukurve të tjera negative, siç janë dhuna në familje, abuzimet me narkotikë, plaçkitjet, aksidentet në trafik dhe devijimeve të tjera në shoqëri.
Njëherësh, KKSB ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë që ka ofruar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, për legalizim të armëve dhe të lirohen nga pasojat që mund t`i kenë për mbajtje të paligjshme të armëve.
Izmi Zeka, zëvendësministër i Brendshëm, ka thënë se në duart e qytetarëve të Kosovës, llogaritet të jenë rreth 200 mijë armë.
Praktika ka treguar se gati të gjitha vrasjet në Kosovë, janë kryer me armë ilegale, prandaj legalizimi i tyre është i domosdoshëm, ka thënë Zeka, duke i rikujtuar qytetarët se pas këtij afati, shteti do të jetë i pa kompromis ndaj mbajtësve ilegalë të armëve.
Sa i përket çështjes së pagesës që duhet bërë për legalizimin e një arme, për çka pati më së tepërmi vërejtje nga anëtarët e KKSB, ai ka thënë se pagesa për Ministrinë e Brendshme, është simbolike, sa për nevoja administrative-teknike, ndërsa pjesa tjetër kërkohet nga kompanitë private, të cilat janë të licencuara për trajnimin e personave që duan të mbajnë armë me leje.
Ai ka thënë se shuma prej 350-400 euro, varësisht prej llojit të armës, mund të jetë e lartë, por duhet kuptuar se mbajtja e armës, tani që kemi shtetin, i cili kujdeset për sigurinë tonë, është një luks për qytetarin dhe jo një domosdoshmëri.
Halit Rexhepi, kryesues i KKSB, ka kërkuar nga qytetarët që t`i legalizojnë armët. Ndërkaq, sa iu përket vetëvrasjeve si dhe vrasjeve në tentativë, KKSB ka shprehur shqetësimin e vetë për këtë dukuri, për çka do t`i kërkojë policisë që të bëjë një analizë të rasteve, për të konstatuar shkaqet që çojnë deri te ky akt, megjithëse, siç ka thënë Rexhepi, askush nuk mund të futet në mendjen e personave, për t`i kuptuar arsyet e vërteta të tyre.
Përndryshe, gjendja e përgjithshme e sigurisë, nga aspekti policor u vlerësua stabile. Alban Ramushi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se statistikat e dhjetorit dhe janarit, tregojnë për një rënie të kriminalitetit në krahasim me muajt e njëjtë të viteve paraprake, por është shprehur i brengosur për rastet e fundit të vetëvrasjes, duke sqaruar sa i riu që kreu këtë akt, para pak ditësh ishte diagnostikuar me probleme depresioni.
Ndërkaq në lidhje me aksionin për legalizimin e armëve, Ramushi ka thënë se deri tani janë paraqitur 39 persona, nga të gjitha komunitetet, kryesisht për armë të shkurta dhe të gjuetisë.