Në Gjilan, tri ditë aktivitete për nder të 17 shkurtit

Në Gjilan, tri ditë aktivitete për nder të 17 shkurtit

Në Gjilan, tri ditë aktivitete për nder të 17 shkurtit, Haziri fton qytetarët të bashkëngjiten në programin e shënimit të përvjetorit të pavarësisë

Në Gjilan kanë filluar të premten aktivitetet treditore për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me ç`rast do të mbahen një varg manifestimesh kulturore-artistike, ndërkohë që kryetari i Komunës, Lutfi Haziri i ka ftuar qytetarët që të bashkëngjiten në festën e madhe të pavarësisë.

“Jemi të lumtur që këtë festë Gjilani e shënon me një numër të madh të aktiviteteve, kryesisht nëpër shkolla fillore dhe të mesme”, ka thënë Haziri, duke i ftuar qytetarët që të bashkëngjiten në shënimin e përvjetorit të shpalljes së deklaratës së Pavarësisë.

Përndryshe, programi për shënimin e pavarësisë së Kosovës, ka filluar me mbjelljen e njëmbëdhjetë fidanëve nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri si dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, në lokacionin e shkollës fillore “Abaz Ajeti”, si simbolikë e këtij përvjetori.

Në orën 11:30, fëmijët e shkollës fillore “Thimi Mitko” kanë shfaqur një program festiv para Teatrit të qytetit në Gjilan, ndërkohë që manifestimet e kësaj dite kanë vijuar me një aktivitet tjetër në gjimnazin “Zenel Hajdini”, për t`u përmbyllur me një mbrëmje festive në hotelin “Kristal” së bashku me gjimnazin “Hydajet Lezha” nga qyteti i Lezhës.

Të shtunën shënohet nisja ceremoniale e Deklaratës së Pavarësisë nga objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në ora 09:00, për në shtatë qendrat kryesore të vendit: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj. Shoqërimi deri në komunat përkatëse do të bëhet nga një patrullë e Policisë së Kosovës dhe nga një zyrtar i secilës Komunë, i cili do të jetë përgjegjës për vendosjen e Deklaratës së Pavarësisë në sheshin kryesor të qytetit të Gjilanit, deri më datë 18 shkurt 2019, ora 17:00, kur Deklarata do të bartet në objektin e Komunës.

Po këtë ditë, në sallën e Kuvendit Komunal si dhe Zyrën e kryetarit të Komunës, do të zhvillohet solemniteti për dorëzimin e titullit “Qytetar Nderi” për shtetasin nga Shqipëria Irakli Koqollari, përkatësisht të titullit “Nderi i Qytetit” për gjilanasit Ekrem Rukovci, Shemsedin Abazi, Shukri Sylejmani dhe Selami Osmani (pas vdekjes).

Në Bibliotekën e qytetit, sipas një praktike të deritashme, do të bëhet shpallja e lexuesit të vitit, të cilëve do t`ua dorëzojë mirënjohjet kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Pjesë e programit të shënimit të ditës së pavarësisë, është edhe Teatri i qytetit, me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga Mehmet Kraja, në regji të Ilir Bokshit, e cila jepet në orën 19:00.

Ndërkaq të dielën, më 17 shkurt, fillohet me homazhe tek varrezat e dëshmorëve (ora 10:00), për të vazhduar me akademinë solemne për nder të njëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë (11:00) dhe një program artistik nga shkolla e muzikës, që mbahet në sallën e Teatrit.

Në ora 13:00, në ambientet e Degës së LDK-së në Gjilan, bëhet përurimi i bustit të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, që është aktiviteti i fundit në kuadër të programit për shënimin e këtij përvjetori të madh dhe të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.

KOMENTE