Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në mbledhjen e pestë të rregullt ka vlerësuar situatën e sigurisë në komunën e Vitisë të qetë dhe stabile.
Kryesuesi i mbledhjes, zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, fillimisht ka njoftuar anëtarët e këtij këshilli me situatën momentale me COVID 19 dhe ka theksuar se Institucionet komunale të Vitisë në përgjithësi kanë qenë të angazhuara që të kenë në menaxhim gjithë resorët komunal për ofrim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, duke paraqitur statistikat e këtij viti, ka thënë se konstatim i përgjithshëm është se viti 2020 është dukshëm më i qetë dhe me ulje të rasteve kriminale për 20 %, në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Sa i përket aksidenteve me fatalitet, ai tha se vitin e kaluar kanë qenë 6 raste kurse këtë vit janë shënuar 2 aksidente me fatalitet.
Gjithashtu edhe te rastet e vjedhjeve janë shënuar rënie, që do të thotë se bashkëpunimi me qytetarë ka bërë që të ketë efikasitet në ulje të numrit të rasteve të vjedhjeve dhe rasteve të tjera, ka thënë kapiteni Halili.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, duke folur për angazhimet komunale në menaxhim të pandemisë, është shprehur se kanë qenë të përkushtuar që planifikimet infrastrukturore të realizohen, e njëashtu edhe shërbimet për qytetarë të jenë në nivel.
Ai ka falenderuar gjitha mekanizmat që janë pjesë e KKSB-së, për kontributin e dhënë në punën e KKSB-së. Ndërkaq, anëtarët e KKSB-së Xhemajl Hasani, Imri Emërllahu, Adnan Zenuni, Bujar Ostërgllava e Husamedin Hoxha, kanë parashtruar kërkesat e tyre që janë edhe shqetësim i qytetarëve e që kishin të bënin me sigurinë në trafik, problemin e lypsarëve në rrugë, mbarvajtjen e procesit mësimor, vendosjen e një pritore për udhëtarët e fshatit Skifteraj, në rrugën Gjilan-Ferizaj, për dukurinë e qenëve endacak, si dhe për sjelljet e disa policëve ndaj qytetarëve.
Një takim të fundit për këtë vit, udhëheqësit dhe anëtarët e KKSB-së u dakorduan ta mbajnë nga data 28 apo 29 dhjetor. /2LONLINE.com/