Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit pas lehtësimit të masave të vendosur si pasojë e virusit pandemik COVID-19. Gjatë këtij takimi është folur për gjendjen e sigurisë në këtë komunë që është vlerësuar si e qetë dhe stabile. Megjithatë në veçanti është biseduar rreth gjendjes së krijuar në komunën e Vitisë nga marsi i këtij viti deri me tani shkaku i përhapjes së virusit pandemik COVID-19 që ka prekur edhe këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në këtë takim theksoi se komuna e Vitisë, ka pasur një bashkëpunim të mirë me të gjithë dhe për atë e ka pasur edhe më të lehtë menaxhimin e situatës së krijuar në vend nga virusi COVID-19.
“Siç e dini shkaku i masave mbrojtëse për mos përhapjen e virusit pandemik janë ndërprerë mbledhjet e rregullta të kuvendit komunal por edhe të shumë trupave të tjerë, për këtë arsyeje edhe ky këshillë nuk ka mbajtur mbledhje të rregullt. Megjithatë ne kemi bashkëpunuar me të gjithë që të menaxhojmë sa më mirë situatën e krijuar nga koronavirusi. Natyrisht se Vitia nuk e ka pasur lehtë pasi ka qenë komuna e parë në nivel vendi i prekur nga ky virus dhe njëkohësisht edhe komuna e parë e futur në karantinë se bashku me Klinën. Prandaj sot dua të falënderoj të gjithë që kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë në tejkalimin e kësaj situate me shpresë që të ju kthehemi normalitetit sa më parë”, u shpreh Kryetari Haliti.
Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, pasi foli për gjendjen e sigurisë në këtë komunë dhe e vlerësoj atë si të qetë dhe stabile potencoi se këtë vit policia ka qenë dhe është e angazhuar ne detyra shtesë shkaku i pandemisë. Ai ka falënderuar qytetarët të cilët kanë qenë pjesë e vatrave të infeksionit dhe fshatrat në karantinë për durimin dhe mirëkuptimin e treguar duke veçuar fshati Stubëll, fshati ky i parë i prekur me këtë virus dhe në karantinë për një kohë të gjatë. Megjithatë ai ju bënë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilent të ndjekin udhëzimet e ekspertëve, pasi që situata me COVID-19 akoma nuk ka kaluar dhe janë shtuar rastet e infeksionit me virus në këtë komunë.
Ndërkaq zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili edhe ka kryesuar këtë mbledhje vuri në pah bashkëpunimin e mirë me të gjithë duke potencuar se për gati 40 ditë rresht në këtë komunë nuk ka pasur raste të personave të prekur me këtë virus, por që në ditët e shkuar serish qytetarë të kësaj komune janë prekur nga virusi dhe atë në lokalitetet Zhiti, Vërban e Beguncë, të gjitha këto raste të kontaktit.
Ai kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve dhe në veçanti të atyre që kanë pasur kontakt me personat e prekur me virus që të vetë izolohen dhe të ruajnë shëndetin publik.
Ndërkaq gjatë këtij Husamedin Hoxha, Kryetarë i Këshillit të Bashkësisë Islame-Dega në Viti, ka falënderuar kryetarin e Komunës së Vitisë, për punën e bërë gjatë kohës së pandemisë, në veçanti për sigurimin e ndihmave për familjet në nevojë. Në këtë takim kanë folur edhe Xhemaj Hasani, Adnan Zenuni, Imri Emerllahu, Bujar Ostrogllava si dhe përfaqësuesi i FSK-së. /2LONLINE.com/