Sot në Komunën e Kamenicës u zhvilluan dy takime, njëra me Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, kurse tjetra me Shtabin Komunal Emergjent, në lidhje me ecurinë e veprimeve për parandalimin e virusit Covid-19.
Pjesëmarrës në këto takime ishin të gjithë anëtarët e KKSB dhe të taskforcës.
Gjatë takimeve u tha se Stacioni Policor në Kamenicë, Policia Kufitare dhe FSK-ja, do të ofroj mbështetje të plotë për menaxhimin e kësaj situate.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati tha se deri më sot nuk ka asnjë rast të dyshuar me COVID-19 në Kamenicë, dhe se janë marrë të gjitha masat për parandaliminin e këtij virusi.
“Tashmë kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ajo çfarë na mbetet, është që secili prej jush të kujdeset për veten dhe të evitoni daljet pa nevojë”, shtoi Kastrati.
Ndërkaq, Komandati i Policisë në Kamenicë, Florim Klaiqi tha se janë duke u zbatuar të gjitha vendimet e përcaktuara nga institucionet e sigurisë.
“Stacioni Policor në Kamenicë është duke vepruar në bashkërendim edhe me institucionet komunale. Të gjitha vendimet që janë përcaktuar për institucionet e sigurisë, jemi duke i zbatuar në përpikmëri”, tha ai.
Gjithashtu gjatë takimeve raportuan për gjendjen aktuale edhe Kryesuesi i Taskforcës, Ramadan Basha dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi.