Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) në Viti, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt ku është diskutuar rreth menaxhimit të situatës së krijuar në komunën e Vitisë, nga virusi pandemik COVID-19.
Gjatë këtij takimi u bë me dije se deri me tani numri i të infektuarave në komunën e Vitisë ka shkuar në 52, ndërkaq 7 prej tyre janë shëruar.
Sipas Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), mbrëmë kanë rezultuar pozitiv edhe 3 persona nga fshati Ramjan i Vitisë.
Gjatë këtij takimi Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti theksoi se kjo komunë po vazhdon me masat parandaluese për mos përhapjen e këtij virusi si dezinfektime dhe klorifikime por edhe po kujdesët për sigurimin pakove higjienike dhe ushqimore për qytetarët në nevojë.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga KKMSH që të mbahet kontakti me familjarët e të prekurave me COVID-19 dhe të shikohen nevojat e tyre.
Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, potencoi se ata po bashkëpunojnë ngushtë me inspekcionin komunal për të shikuar se a po respektohen rregullat gjatë kohës së pandemisë nga bizneset që veprojnë në Viti.
Ndërkaq Drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli-Halili potencoi se 130 qytetarë të kësaj komune janë në mbikëqyrje dhe bëri me dije edhe numrin e të infektuarave sipas lokaliteteve.
Sipas saj numri i të infektuarave është ky: Viti 13, Stubëll 12, Skifteraj 6, Pozheran 6, Ramjan 11, Goshicë 3 dhe Smirë 3.
Megjithatë KKMSH në Viti, kërkon nga qytetarët që të mbajnë distancën sociale dhe të respektojnë udhëzimet e ekspertëve.