Ndonëse gjendja epidemiologjike vazhdon të jetë serioze, pas shtimit të rasteve të reja me Covid-19, megjithatë, në Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Vitisë (KKMSH) në mbledhjen e sotme, u tha se momentalisht kjo gjendje është e menaxhueshme.
U apelua tek qytetarët që të respektohen masat kundër gripit, në mënyrë që të ndërpritet zingjiri i infektimit të mëtutjeshëm. Kryetari i komunës Sokol Haliti, njoftoi se rastet e paraqitura në fshatrat Sllatinë, Skifteraj, Beguncë e Pozheran janë lokalizuar në mënyrë që të mos ketë përhapje të mëtutjeshme të infektimeve të reja.
Nga ana tjetër, është vazhduar me dezinfektim të objekteve siç është Qendra e Regjistrimit të Automjeteve dhe disa objekte të tjera, por edhe me klorifikim të trotuareve dhe rrugëve.
Komandanti i stacionit policor në Viti kapiten Afrim Halili, njoftoi se situata momentale është nën kontroll, kurse së bashku me drejtorinë e Inspekcionit kanë bërë kontrolla të lokaleve të gastronomisë, me që rast gjendja nuk është e kënaqshme, për shkak të mos zbatimit të masave mbrojtëse.
Ndërkohë nga Qendra Kryesore e Mjeksisë Familjare në Viti, bëhet e ditur se ka vazhduar marrja e mostrave për të dyshuar. Drejtoresha Vjollca Kadolli-Halili, njoftoi se edhe sot janë marrë dhjetra mostra në lokalitete të ndryshme të komunës së Vitisë, që konsiderohen raste kontakti me të prekurit.
Sa i përket ofrimit të ndihmave ushqimore, janë ndihmuar disa familje në Zhiti, Vërban etj, varësisht nga nevoja që paraqitet në terren. Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, vazhdon me menaxhimin e situatës pandemike në mënyrë të vazhdueshme./2LONLINE.com/