(2L ONLINE) – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një Transparometri të realizuar në Gjilan, Gjakovë, Prishtinë, Graçanicë, Prizren dhe Deçan, e ka nxjerrë Komunën e Gjilanit si e dytën në nivel vendi me transparencën më të lartë me 26.8 pikë nga 35 maksimale, duke e lënë pas Komunën e Prishtinës me 20.4 pikë, derisa Gjakova ka dalë e para në matjen kryesisht në katër fusha thelbësore të qeverisjes lokale.
Ndërsa, në matjen e transparecës vetëm për Kuvendin Komunal, Gjilani zë vendin e parë me transparëncë në nivel vendi me 29.3 pikë, nga 35 maksimale, Gjakova me 23 pikë, Prishtina 17 pikë, Graçanica 22, Prizreni 20, derisa Deçani është vlerësuar me 24 pikë.
Në paraqitjen e rezultateve për transparencën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emër të kryetarit Lutfi Haziri ka marrë pjesë kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila tha se ndihet krenare sidomos sa i përket rezultatit për Kuvendin Komunal në veçanti dhe për nivel të përgjithshëm të vlerësimit për Komunën e Gjilanit.
“E falënderoj Institutin Demokratik të Kosovës për vlerësimin objektiv që e ka bërë, duke e radhitur Gjilanin si Komunën e dytë me transparencën më të lartë në Kosovë. Unë jam krenare me rezultatet, sidomos për Kuvendin Komunal të Gjilanit që jemi të parët në Kosovë, derisa ju premtojmë se në të ardhmen edhe si Komunë në të gjitha nivelet do të jemi të parët. Ky rezultat dëshmon për punën e mirë që ne jemi duke e bërë në mënyrë të vazhdueshme për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë Bunjaku Rexhepi.
Ndryshe, muaj më parë Gjilani është zgjedhur si Komunë model në nivel vendit sa i përket qasjes në dokumente zyrtare. /2L ONLINE/