(2L ONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka votuar sot rishikimin e buxhetit të cilin e ka prezantuar zyrtari kryesor financiar, Ilmi Limoni. Buxheti i përgjithshëm i Komunës së Gjilanit për vitin fiskal 2014, i planifikuar sipas Qarkores Buxhetore, është 20.125.842 euro. Nga grandi janë planifikuar të sigurohen 16.345.842 euro, kurse nga të hyrat vetanake, 3,780.000 euro të tjera, ka njoftuar ai.
Me këtë rast Limoni duke precizuar se ndryshimet janë kryesisht nga vendimet e mara në nivelin qendror si rritja e pagave dhe vendime të tjera kanë ndikuar që në rishikimin e buxhetit domosdo të kemi këtë parasysh.
“Ndryshimi më i madh është tek kodi për pagat ngase kemi një rritje për 25%, që na detyron të kemi ndryshime në buxhetin e këtij viti përmes rishikimit, ndërsa sa i përket kodeve të tjera kemi të paraparë zvogëlim të mallrave dhe shërbimeve por edhe shërbimeve komunale. Ndryshimet janë bërë barabarësisht edhe nëpër drejtori komunale ku ndryshimet e bartjeve nga një kod në tjetrin kanë qenë në kufijtë 15%, ka thënë ai duke njoftuar se Komuna e Gjilanit ka përgatitur edhe kërkesën për buxhet shtesë për një shumë prej mbi 4 milionë euro, për të shlyer borxhet e trashëguara nga qeverisja e kaluar, ka spikatur ai.
Ndërsa, këshilltarët Zijadin Maliqi – LDK, Selami Xhemajli – AAK, kanë mbështetur këtë propozim për rishikim kur kihet parasysh se kjo është determinuar në një përqindje të madhe nga niveli qendror përmes vendimeve të nxjerra. Kurse kërkesën për buxhet shtesë ata kanë thënë se është bërë në momentin më të mirë të mundshëm.
E nga ana tjetër, Riad Rashiti – PDK, ka kërkuar një sqarim lidhur me kërkesën për shlyerje të borxheve, sepse sipas tij kërkesa është bërë për 4 milionë euro.
“Sipas deklarimeve publike të Komunës nëpër media, është thënë se 1.8 milionë euro borxhe janë shlyer, dhe kur kjo shumë i hiqet 3.7 milion euro të raportuara si borxhe në Kuvend, atëherë del se i kemi edhe 1.9 milion borxhe e jo aq sa është bërë kërkesa. Edhe ndryshimet e parapara buxhetore duhet të kenë disa përmirësime teknike”, ka thënë ai.
Ndërsa, Nevzad Isufi – VV, ka kërkuar që të ketë informacione shtesë lidhur me rishikimin por edhe me kërkesën për buxhet shtesë. Ai ka thënë se të merret buxheti nga resorët si bujqësia dhe shëndetësia, nuk është në rregull ngase këto janë segmente të rëndësishme për qytetarin e Gjilanit. Po ashtu ai ka thënë se edhe sa i përket kulturës, rinisë dhe sportit e rekreacionit nuk ka asnjë cent rritje të buxhetit.
Bartjen e mjeteve në zyrën e kryetarit, Limoni e ka arsyetuar se kjo po bëhet me qëllim që ato të shpenzohen si subvencion për ndërtimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomike – sociale, ngase shpenzimet e mëhershme për këtë qëllim nga kodi i investimeve kapitale janë veprim i gabuar në raportet e Auditorit të Përgjithshëm.
Ndryshe, me këto vërejtje rishikimi i buxhetit ka marrë 24 vota pro nga 29 këshilltarë komunal sa ishin në seancë. /2L ONLINE/