KFOR, operacioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë po shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, përmes transmetuesit të tij Radio K4, i cili do të mbështesë fushatën e sistemit të KB “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”.
Fushata vjetore ndërkombëtare fillon çdo vit më 25 Nëntor dhe zgjat deri më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut. Përdoret si një strategji organizimi nga individë dhe organizata në të gjithë botën për të bërë thirrje për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Më shumë se 40 aktivitete do të zhvillohen në Kosovë, duke përfshirë organizata vendore dhe ndërkombëtare si dhe duke përfshirë debate, punëtori, vizita në strehimoret e grave dhe ndriçimin në ngjyrë të portokalltë të disa ndërtesave dhe vendeve të rëndësishme. Tema globale e këtij viti është: “Ngjyros Botën me Portokalli: Financo, Reago, Parandalo,Grumbullo!”
Në vitet e fundit, Radio K4 ka mbështetur fushatat vjetore duke transmetuar audio produkte të cilat janë realizuar së bashku me UN Women, EULEX dhe Ministrinë e Drejtësisë të Institucioneve në Kosovë. Këtë vit, transmetuesi i KFOR-it do të mbulojë shumë ngjarje, duke përfshirë tri punëtori për nxënësit e shkollave të mesme mbi të drejtat e njeriut dhe dhunën në bazë gjinore, aktivitetet e Komisioneve Lokale për Siguri Publike së bashku me Policinë e Kosovës, Akademinë e Dialogut të OSBE-së për femrat e reja.
Radio K4 gjithashtu do të transmetojë audio-xhingla kundër dhunës në familje; një çështje shumë e ndjeshme, meqë të gjitha llojet e dhunës kundër grave dhe vajzave në mbarë botën janë intensifikuar që nga shpërthimi i COVID-19 dhe masave pasuese të mbylljes të vedosura për të frenuar pandeminë, sipas të dhënave dhe raportimeve që dalin nga ata në vijat e frontit.
Në këtë drejtim, Radio K4 ka mbështetur OSBE-në dhe Policinë e Kosovës me fushatën e tyre të fundit të vetëdijësimit gjatë periudhës së mbylljes, duke promovuar një numër të linjës së hapur 24/7 për gratë viktima të dhunës në familje, dhe mbuloi ekspozitën “Dhuna nuk fshihet brenda mureve,”, të mbajtur në Prishtinë duke ju falenderuar Rrjetit të Grave të Kosovës.
Ndër ngjarjet e fushatës së këtij viti do të jenë intervistat me Rozafa Kelmendin dhe Vetone Veliun, përkatësisht një Menaxhere e Projektit në UN Women Kosova dhe Drejtoresha e Shoqatës së Grave për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë.
KFOR-i është i përkushtuar në agjendën e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 2000 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në këtë këndvështrim, Këshilltari Për Çështje Gjinore dhe Zyra për Marrëdhënie me Publikun e misionit të udhëhequr nga NATO, më 7 tetor organizuan një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Prishtinë, me mbështetjen e Radio K4, për të shënuar 20 vjetorin e rezolutës. Së fundi, KFOR-i ka realizuar projekte në favor të grave, si dhurimi i makinave qepëse për ‘Jeta’ – një OJQ që mbron gratë – dhe sigurimin e një sistemi të kamerave të sigurisë për strehimoren e grave në Novosellë. Të gjitha janë theksuar nga Radio K4.
Radio K4 transmeton drejtpërdrejt në të gjithë Kosovën në radio-stacionet kosovare-shqiptare dhe kosovare-serbe, 12 orë në ditë në disa frekuenca, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit dhe duke përfunduar me show-in e mbrëmjes në orën 22:00. Programet filluan në vitin 1999 pas konfliktit në Kosovë për të siguruar informacion në kohë të duhur dhe të paanshëm për popullatën në lidhje me KFOR-in dhe çështjet e sigurisë, në gjuhën shqipe dhe serbe, së bashku me programet muzikore. Radio K4 promovon dialogun ndëretnik dhe të gjitha aktivitetet e paanshme të KFOR-it në mbështetje të të gjitha komuniteteve në Kosovë, në përputhje me mandatin e operacionit të themeluar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB të vitit 1999.