Klubi futbollistik Kika nga Hogoshti po vazhdon të përballet me krizë financiare, e cila ia determinon edhe mbijetesën si klub aktiv në Kosovë.
Klubi që zhvillon garat në Ligën e Dytë të futbollit kosovar po kërkon ndihmën e njerëzve të vullnetit të mirë, dashamirëve të klubit Kika, bashkëatdhetarëve dhe sponsorëve eventual për financimin e klubit, që do t’u ndihmonte atyre të kryejnë nevojat për funksionimin e klubit, pagesat e lojtarëve dhe të tjera.
Së fundmi, përmes një postimi zyrtar në faqen e klubit në Facebook është potencuar një fakt i tillë i dhimbshëm, për çka kanë njoftuar për adresën se ku mund të kontribuohet për këtë klub, tek arkatari i klubit, Faruk Muja.
Ky është postimi i plotë i klubit:
APEL PËR NDIHMË
TA NDIHMOJMË KLUBIN KIKA
Klubi i ynë futbollistik KIKA, ka nevojë për ndihmë financiare, prandaj ne si klub kemi marrë një iniciative që t’i grumbullojmë parat të cilat na duhet ta mbulojmë sezonin 2019/2020, ku do të bëjmë gara në Ligën e Dytë, synim të cilin e kemi inkuadrimin në Ligën e Parë, aty ku edhe e kemi vendin.
Por, pa ndihmën e bashkatdhetarëve, qytetarëve të Hogoshtit, Kamenicës edhe më gjerë nuk do të jetë e mundur.
Prandaj, ftojmë të gjithë qytetarët, dashamirët e klubit të KIKËS, që ta ndihmojnë me mjete financiare, pasi klubi ka nevojë për to.
Po ashtu ftojmë të gjithë bizneset ta mbështesin klubin KIKA, klub i cili ka histori.
Për më shumë detaje të gjithë të drejtohen te Arkatari i klubit FARUK MUJA.
Bashkë mund t’ia dalim.