Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, sot në MSh u mbajt takimi I Këshillit përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në të cilën u raportua dhe u analizuan aktivitetet e ndërmarrë në periudhën midis dy takimeve të Këshillit lidhur me sigurimet shëndetësore.
Ministri Imet Rrahmani theksoi se pas vendimit të Qeverisë së vendit që fillimi i mbledhjes së premiumeve të nis nga korriku i këtij viti dhe jo nga janari siç ishte vendosur më herët, Këshilli përgatitor, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë kanë vazhduar me përgatitjet për këtë proces.
Para anëtarëve të Këshillit u prezantua një Plan i Veprimit lidhur me themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, brenda të cilët janë paraparë detyrat konkrete të secilit institucion, afatet kohore kur duhet përmbyllur, fazat e zbatimit si dhe është bërë edhe një përshkrim i statusit aktual të përgatitjeve lidhur me mbledhjen e premiumeve.
Plani ka të bëjë me zhvillimin e kapaciteteve të AFSH-së, plotësimin e legjislacionit, Sistemin e Informimit të Sigurimeve Shëndetësore, skemën e barnave jashtë spitalore, kontraktimin e performancës së shërbimeve shëndetësore nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Strategjinë e Komunikimit me qytetarët, bizneset dhe palët e tjera të cilat do të jenë akterë të rëndësishëm në implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore.
Ministri Rrahmani tha se MSh pret që shumica e aktiviteteve të kryhen me kohë dhe të arrihet një konsensus i gjerë në Kosovës midis palëve të ndryshme, për të startuar me mbledhjen e premiumeve nga korriku.
“Asnjë proces i zbatimit të skemës së sigurimeve shëndetësore askund nuk ka filluar si i përkryer që në start, por përvojat pozitive flasin për zhvillim të Fondit dhe sigurimeve në mënyrë të kujdesshme, një rrugë kjo të cilën jemi duke e ndjekur edhe ne, për të siguruar përkrahjen e gjerë për këtë proces”, tha Ministri Rrahmani, duke shtuar se në vitin e parë të implementimit të sigurimeve, përkatësisht pas fillimit të mbledhjes së premiumeve, qytetarët e vendit do t’i kenë tri përfitime të drejtpërdrejta krahas garantimit të shërbimeve shëndetësore aktuale: përmirësimin e furnizimit me barna, rimbursimin e disa barnave që prekin sa më shumë qytetarë të vendit dhe stimulimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor përmes kontraktimit të performancës së shërbimeve shëndetësore përmes pagesës për kapitacion apo në bazë të numrit të regjistruar të pacientëve si indikator kryesor.