Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan sot ka mbajtur trajnimin e parë me haxhinjtë e komunës së Gjilanit. Para se të fillojë trajnimi, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim ef. Aliu, mbajti një fjalim rasti ku përshëndeti dhe uroi të gjithë haxhinjtë për haxhin e tyre, duke e lutur Allahun xh.sh. që haxhi i tyre të jetë i pranuar dhe të kthehen shëndosh e mirë.
Për një organizim më të mirë, KBI në Gjilan që tani ka ndarë haxhinjtë në tri grupe dhe secili grup ka udhëheqësin e tij. Udhëheqës të haxhinjve nga komuna e Gjilanit janë Iljaz ef. Mustafa – kryeimam, Hajrullah ef. Aliu – imam, si dhe Agim ef. Hyseni – sekretar i Këshillit dhe njëherit anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gjatë këtij trajnimi, përpos pjesës teorike, haxhinjtë u njoftuan edhe me veprimet praktike se si ta kryejnë haxhin. Trajnimi i haxhinjve do të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që duaja tradicionale e haxhinjve do të mbahet më datë 01.06.2024 – ditë e shtunë në orën 14:00 në Palestrën e Sportit “Bashkim Selishta” në Gjilan. /2LONLINE/