Ministria e Arsimit deri të premten do ta funksionalizojë Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Sipas burimeve të gazetës Tribuna, ministri Buja do të emërojë dy ndërkombëtarë dhe dy vendorë si anëtarë të Këshillit Drejtues.
Po sipas këtij burimi, emri i Ibrahim Behlulit, profesor i Lëndës së Anatomisë, në Fakultetin e Mjekësisë, po lakohet për ushtrues detyre të rektorit.
“Pas votimit të anëtarëve të Senatit për ish-anëtarët e Këshillit Drejtues, që të vazhdojnë punën edhe më tutje si anëtarë të KD-së, shumë shpejt pritet që Këshilli të plotësohet edhe me katër anëtarë të tjerë, të cilët emërohen nga Ministria e Arsimit. Nga këta katër anëtarë, dy do të jenë vendorë dhe dy ndërkombëtarë, dhe kështu do të funksionalizohet këshilli, i cili do të kryejë punën e vet, deri në zgjedhjet e ardhshme në Universitetin e Prishtinës”, thonë burime të gazetës.(Tribuna)