Këshilli I Bashkësisë Islame në Gjilan uron gjilanasit për festën e Kurban Bajramit
Besimtarë të nderuar! Vëllezër e motra!
Dita e Kurban Bajramit, është dita që bashkon zemrat e muslimanëve anembanë botës , për të përjetuar me shpirt e me ndjenja gëzimin dhe harenë, duke madhëruar e falënderuar Allahun e Gjithëpushtetshëm për begatitë Tij të dhuruara ndaj nesh..
Çdo festë, përmban në vete mesazhe e porosi, por festa e Kurban Bajramit është një festë shumë e veçantë, sepse mesazhet dhe porositë e saj përçohen jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet zemrave e veprave të mira. Kjo festë përmban këshilla e porosi shumë domethënëse të cilat na ndihmojnë për organizimin e mirëfilltë të jetës sonë në këtë botë, ngase në to përfshihet aspekti shpirtëror, ai social e human e përveç tjerash manifestohet me tërë dëlirësinë hyjnore barazia, uniteti, solidariteti e sakrifica.
Jeta e njeriut në këtë botë, duhet të jetë një jetë e devotshme, jetë që në vete përmban vlerat më sublime e më madhështore, sepse pa këta komponentë, ajo do ta humbiste kuptimin e saj të vërtetë.
Allahu xh.sh, në Librin e Tij fisnik urdhëron e thotë:
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun Zotin e botëve!”(El-En’ am:162)
Me këtë festë ndërlidhen dy momente shumë të rëndësishme për besimtarët islam: Kryerja e kushtit të pestë të Islamit-Haxhi dhe prerja e kurbanit.
Së pari, Haxhi rrezaton dhe demonstron barazinë universale në mes njerëzve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, regjionale, racore a gjuhësore. Pa marrë parasysh pozitën e tij shoqërore, arsimore e materiale. Ata që të gjithë të veshur me ihram, një petk të bardhë, që simbolizon petkun e devotshmërisë dhe thjeshtësisë njerëzore, i përkushtohen lutjeve dhe ibadetit ndaj Krijuesin, të angazhuar për fisnikërimin e shpirtit, me lot të pendimit të sinqertë dhe zotimin për angazhim të paluhatshëm në rrugën e drejtë, në rrugën që e ka urdhëruar e pëlqyer Krijuesi i gjithësisë.
Haxhi është demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të myslimanëve. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e materiale në shërbim të Allahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtërorë i të gjithë myslimanëve. Lidhur me obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, Allahu xh.sh. në Kuran urdhëron e thotë: “Vizita e Qabes për hirë të Allahut është detyrim për atë që ka mundësi”. (3: 97)
Kurse çasti i dytë madhështor i kësaj feste është prerja e kurbanit që fillet institucionale i ka tek Ibrahimi a.s. dhe Ismaili a.s., ndodhinë e të cilëve besimtarë e përkujtojnë me pietet në çdo Kurban Bajram.
Prerja e kurbanit ngërthen në vete edhe aspektin social, ngase në mënyrën më të mirë të mundshme, të pasurit shprehin solidaritetin me nevojtarët dhe skamnorët. Kurse në kohën e sotme ka peshë dhe rëndësi edhe më të madhe, sepse më shumë se kurrë, sot njerëzimi ka nevojë për ndihmë reciproke, për solidaritet, për përkrahje dhe bamirësi.
Vëllezër të nderuar
Haxhi dhe Kurbani determinojnë secila në mënyrën e vetë vlerat më fisnike e më madhështore për shoqërinë, së pari dashurinë e respektin ndaj Allahut e kjo vlerë krijon premisat për një jetë të rehatshme në këtë botë ku duhet të mbizotëroj paqja ndaj dhunës dhe konfliktit, dashuria ndaj urrejtjes, respekti ndaj nënçmimit, bujaria ndaj koprracisë, devotshmëria ndaj degjenerimit, arsyeja ndaj egos dhe lumturia ndaj vuajtjeve.
Të nderuar vëllezër dhe motra
Në fund, e lus Allahun e Madhërishëm, që haxhinjve tanë t’ua ketë pranuar haxhin.
E Lus të Gjithëpushtetshmin që atyre dhe neve të na i pranojë sakrificat dhe kurbanat tonë
Dhe krejt në fund, më lejoni që të gjithë besimtarëve t’ua uroj festën e madhe të Kurban Bajramit!
Me fat ju qoftë festa e Kurban-Bajramit !
Naim Aliu
Kryetar i KBI në Gjilan