Liderët politik shqiptar nga qeveria në Tiranë kërkuan investime kapitale me vlera milionëshe dhe jo vetëm 100 mijë euro për maternitetin. Përmes një letre të drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në ditët e fundit të vitit 2013-të, liderët politik nga Bujanoci dhe Presheva kërkuan nga qeveria shqiptare ndihmë në projekte konkrete dhe jo vetëm maternitetin në Preshevë.
Në dokumentin drejtuar Tiranës zyrtare para mbajtjes së takimit të Prizrenit, është kërkuar që të ndihmohen mbi 15 projekte për nevojat me prioritet të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, raporton Titulli.
Ky dokument, një kopje të së cilës siguroi gazetari i këtij mediumi, numëron të gjitha kërkesat e harmonizuara të nëntë liderëve politik shqiptar të Luginës së Preshevës.
Vendimi i dalë nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive nga takimi i Prizrenit për të ndihmuar vetëm maternitetin me një shumë prej 100 mijë eurove, ka nxitur një pakënaqësi tek popullata shqiptare e këtyre trevave.
Të pakënaqur janë shprehur edhe liderët politik shqiptar të Luginës. Kryetari i Kuvendit Komunal në Bujanoc Jonuz Musliu ndihmën prej 100 mijë eurove e vlerësoi si hajgare.
“Këto para që do të ndahen për Luginën e Preshevës munden edhe individët të bëjnë. Lugina e Preshevës është çështje kombëtare jo humanitare”, është shprehur Musliu.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Galip Beqiri në një prononcim për portalin Titulli ka thënë se dy qeveritë shqiptare mund të bënin më shumë për Luginën e Preshevës.
“Nuk jemi të kënaqur, si nismë ndoshta është pozitive, mirëpo, nuk i mbulon nevojat e popullatës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pritë shumë më tepër prej këtij takimi, duke mos kërkuar vetëm ndihmë financiare por edhe politike”, ka deklaruar Beqiri.
Vlen theksuar se shqiptarët e Luginës edhe pse me dy shtete amë duken se janë lënë në harresë për dallim me serbët që jetojnë në Kosovës e që si mbështetje kanë një qeveri, atë të Republikës së Serbisë.
Deri më sot ky shtet, në rajonet ku jetojnë serbët e Kosovës, ka investuar me miliona euro, derisa këtë vit ka premtuar se deri më 1 korrik do të hap 1000 vende pune./Titulli.com/
KËRKESAT DREJTUAR QEVERISË SHQIPTARE:
1. Në Arsim-ndërtimi i objekteve të infrastrukturës shkollore:
– Objekti i Sh. F. Sami Frashëri, Lluçan – Bujanoc (vlera e përafërt 500 mijë euro);
– Ndërtimi i Sallës së sporteve në Sh. F. Muharrem Kadriu, Tërnoc – Bujanoc; (vlera e përafërt 1 milion euro);
– Sallë sporteve në Preshevë (vlera e përafërt 1 milion euro);
– Objekti një shkolle në Medvegjë (vlera e përafërt ____ euro);
– Ndihma për pajisjen e shkollave me kabinete – (vlera e përafërt 100 mijë euro);
– Organizimin e trajnimeve për mësimdhënësit;
2. Kulturë:
– Organizimi i vizitave të Ansambleve shtetërore nga Shqipëria në Luginë dhe formave tjera të bashkëpunimit kulturorë sipas kërkesave të institucioneve të qeverisur shqiptarët në Luginë të Preshevës;
-Ndërtimi i objektit për një Muze të traditës etnografike- vlera e përafërt 50 mijë euro;
3. Informim:
– Mbështetja e mediave lokale me pajisje;
– Trajnimi i gazetarëve vendorë;
4. Shëndetësi:
– Ndërtimi i minispitalit dhe dhënia e specializimeve për kuadrot e nevojshme (vlera e përafërt 1 milion Euro);
– Pajisje për maternitetin në Preshevë (vlera e përafërt 100 mijë Euro);
5. Infrastruktura
– Financimi i objekteve të infrastrukturës rrugore;
6. Zhvillimi ekonomik
– Shteti shqiptarë të stimulojë biznesin vendor për bashkëpunim me biznesin e vogël dhe të mesëm të Luginën së Preshevës;
– Të angazhohet për krijimin e bashkëpunimit ndërkufitar të Luginës së Preshevës me Maqedoninë dhe Kosovën.
7. Projekte për OJQ
– Shteti shqiptarë të mbështesë Projekte për të rinjtë, projekte të OJQ-ve vendore, përkrahje projekteve të Shoqatës të personave me aftësi të kufizuar.