Delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës, në përbërje Eugen Saraçini, kryetar, Nebih Zariqi, nënkryetar dhe Izet Gjonovci, sekretar i përgjithshëm, kanë arritur sot në Doha të Katarit, ku nesër dhe pasnesër do të mbahet Kongresi i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.
Me të arritur në Doha, krerët e FHK-së u takuan me njeriun e parë të IHF-së, Hasan Mustafa dhe presidentin e Federatës Evropiane të Hendbollit, Zhan Brihaul, për t’i bashkërenditur veprimet rreth punimeve të këtij kongresi, me theks të veçantë që të diskutohet kërkesa e Kosovës për pranim me të drejta të plota në IHF.
Sipas një njoftimi për media nga FHK-ja, delegacioni i hendbollit kosovar është shumë aktiv dhe po realizon takime të shumta me delegacione të federatave aziatike dhe afrikane ku po merr mbështetje, por duke marrë parasysh edhe kundërshtimet e disa shteteve.
“Me gjithë angazhimet maksimale të kreut të FHK-së dhe atmosferës pozitive që po mbretëron këtu në Doha, vështirë mund të parashikohet epilogu i vendimeve të Kongresit të 34-të të IHF-së, sepse brenda natës mund të ndodhin befasi të ndryshme, por delegacioni kosovar ka shpresë dhe beson në rezultat pozitiv”, thuhet në njoftimin e FHK-së.