(2L ONLINE) – Është mbajtur sot në Prishtinë takimi i radhës së Kolegjiumit të kryesuesve të kuvendeve të komunave, nën drejtimin e kryesueses Valentina Bunjaku Rexhepi. Në këtë takim është diskutuar rreth gjetjeve të mundësive për pagesat e mëditjeve për anëtarët e komiteteve të kuvendeve të komunave si dhe për Udhëzimet Administrative të cilat fillojnë së zbatuari nga 1 janari i vitit 2015 për Komitetin për Politikë dhe Financa dhe për Komitetin për Komunitete.
Edhe gjatë këtij takimi, Kolegjiumi i kryesuesve të kuvendeve të komunave ka kërkuar nga qeveria që të rriten mëditjet e asambleistëve për 100 euro, pasi siç tha kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi, kjo do prodhoj seriozitet edhe më të madh nga ana e anëtarëve të kuvendeve.
“Ne si kryesues të kuvendeve të komunave kemi kërkuar edhe më herët që mëditjet e anëtarëve të Kuvendit të rriten edhe për bazën që e kanë tani dhe unë mendoj që kjo patjetër duhet të ndodhë në mënyrë që Kuvendi të ketë më tepër seriozitet dhe të japin kontribut më tepër anëtarët e tij sepse kur ata e marrin një mëditje më të madhe, besoj që edhe më seriozisht punojnë që punët në komuna të ecin përpara”, ka thënë zonja Bunjaku Rexhepi.
“Kjo mëditje shtesë që ne kemi kërkuar nuk është e mjaftueshme, por duke e ditur që pjesa më e madhe e anëtarëve të Kuvendit punojnë edhe punë tjera, mënyra e vetme është që kjo kërkesë të hasë në mirëkuptim në institucionet kompetente dhe kjo bazë të rritet për 100 euro”, shtoi kryesuesja e Kolegjiumit të kryesuesve të kuvendeve komunale, njëzeti kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi.
Javën e ardhshme është vendosur që të mbahet takimi tjetër i kryesisë së këtij Kolegjiumit për të proceduar më tutje kërkesat e sotme./2L ONLINE/