Deputeti i vetëm shqiptar nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, ka treguar se ky subjekt politik është duke negociuar me fituesin e zgjedhjeve në Serbi, Aleksandër Vuçiqin, për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re.Ai ka thënë se për hyrjen e PVD-së në Qeverinë serbe kanë marrë sugjerime edhe nga ambasadori shqiptar dhe ai amerikan në Beograd. Në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, Hasani ka thënë se PVD-ja do të jetë pjesë e kësaj Qeverie vetëm nëse plotësohen kërkesat që janë shtruar në takimin e parë me Vuçiqin. Sipas tij, deri më tani mandatari për formimin e Qeverisë serbe ka treguar gatishmëri për ta plotësuar vetëm një kërkesë të tyre, që kjo parti shqiptare ta udhëheqë Trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.