Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, dje rreth orës 14h, ka ndaluar të dyshuarit G.V., S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa sot, ndaj tyre ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në afat prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari G.V., më 12 prill 2019, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, me qëllim të përfitimit pasuror, ka tentuar që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me veturën e tij të markës Audi, t’i transportonte në Zvicër, ku paraprakisht ishin marrë vesh për mënyrën e kryerjes dhe përfitimit, mirëpo me rastin e kontrollimit në pikën kufitare, është konstatuar se të njëjtit posedonin dokumente të falsifikuara.
Në këtë mënyrë, i pandehuri G.V., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me migrantë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, të pandehurit S.K., G.E., F.V., dhe A.SH., dyshohet që më 10 prill 2019, te qendra tregtare ‘’Jora Center’’, afër aeroportit të Prishtinës, me qëllim të përfitimit pasuror dhe shfrytëzimit të dokumentit si origjinal, kanë ndryshuar dhe kanë përdorur dokumentet e falsifikuara si origjinale, në atë mënyrë që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me dije i kanë përdorur letërnjoftimet e falsifikuara italiane, të cilët i kanë blerë nga 1300 – 1500 euro, nga i pandehuri G.E., të cilat i njëjti i kishte siguruar nga i pandehuri S.K.
Me këto veprime, të pandehurit S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., dyshohet që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’ të KPRK-së.
Gjithashtu, i dyshuari S.K., dyshohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila gjatë bastisjes iu është sekuestruar.