Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka me ftesë të Presidentit të Forumit Evropian Alpbach Franz Fischler, po merr pjesë në punimet e këtij Forumi nga ku njoftoi se Ministria që drejton është duke punuar intensivisht për zhvillimin e Qendrës Kombëtare për Hulumtim dhe Zhvillim.
Në një bashkëbisedim me pjesëmarrësit e këtij Forumi gjatë ditës së sotme me temë: ‘Si mundet inovacioni dhe rinia të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit”, Ministri Lluka tha se në kuadër të Agjendës Digjitale të BE për Ballkanin Perëndimor ndër të tjera parashihet themelimi i qendrave kombëtare për hulumtim dhe zhvillim, qendra të cilat drejtpërdrejt do të ndikonin në thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Lluka u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kushtëzuara në zhvillimin e projekteve të përbashkëta edhe për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, në këtë drejtim, ai kërkojë nga BE që projektet e tilla të mbështeten financiarisht.
Po ashtu, kreu i MZHE-së tha se sfidë për vendet e Ballkanit mbetet lidhja më e mirë në fushën e telekomunikacionit me fokus të veçantë implementimi i marrëveshjes së romingut.
Në këtë kuadër, Ministri Lluka njoftoi të pranishmit se Ministria që ai drejton është duke zhvilluar projektin për digjitalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e infrastrukturës, projekt i cili e bënë Kosovën vend atraktiv për investime dhe zhvillim.
Pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit, Ministri Lluka ju tha se e kaluara e dhimbshme e vendeve të Ballkanit mund të tejkalohet vetëm me zhvillim ekonomik.
Krejt në fund Ministri Lluka potencoi se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti Republika e Kosovës ka për qëllim anëtarësimin sa më të shpejt të saj në Bashkimin Evropian, për çka ai dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë duke punuar në adresimin dhe plotësimin e të gjitha standardeve.