(2L ONLINE) – Aksioni humanitar i Komunës së Gjilanit me moton “Pak nga ne, shumë për ata” është duke vazhduar tutje. Fondi humanitar i Komunës së Gjilanit për ndihmë familjeve gjilanase që kanë probleme të banimit, po vazhdon të mbushet nga qytetarët e vullnetit të mirë, ndërkohë që edhe kërkesat e nevojtareve janë shumë të mëdha.
Deri më sot, vetëm në Qendrën për Shërbime të Qytetarëve (QSHQ), pran Administratës së Përgjithshme. kërkesë kanë bërë rreth 200 nevojtarë. Po ashtu edhe më parë ka pas kërkesa të natyrave të ngjashme, ndërsa mundet që dikush të ketë adresuar kërkesa edhe në forma tjera, direkt te komisioni përkatës, pastaj pritet të ketë akoma aplikime, kështu që ky numër pritet të rritet akoma.
Nazim Gagica
Nazim Gagica, drejtori drejtorisë së Administratës së Përgjithshme ka bërë me dije për 2L ONLINE, se nga 27 tetori e deri më sot kanë pranuar kërkesa nga më se 200 qytetarë të cilat pas procedurave të parapara me ato lëndë, janë adresuar menjëherë në adresën përkatëse të cilës iu ka adresuar pala. Gagica tha se kërkesat kryesisht janë për ndërtim të shtëpive, meremetim, sanim, pastaj ndërtim kulmi, nevoja për materiale tjetra, si dyer, dritare e të tjera.
Arbër Ismajli
Nga ana e tij, shefi i Kabinetit të kryetarit të komunës, Arbër Ismajli ka rikujtuar për 2L ONLINE, se në mbrëmjen humanitare të Komunës së Gjilanit me moton “Pak nga ne, shumë për ata”, ishin premtuar nga njerëzit e vullnetit të mirë mbi 280 mijë euro, mbi 100 mijë franga zvicerane, 10 shtëpi me çelësa në dorë, si dhe elemente tjera si: dyer, dritare, ndërtim të kulmeve, kuzhina etj., të cilat e ndihmojnë shumë realizimin e këtij projekti për ndihmë familjeve në nevojë.
“Shtëpia e parë tashmë ka nisur të ndërtohet, ndërsa deri sot në xhirollogaritë zyrtare të Komunës së Gjilanit kanë arritur mbi 49 mijë euro dhe mbi 8000 franga zvicerane. Kryetari Lutfi Haziri falënderon të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të cilët po kontribuojnë në fondin e Komunës, ndërsa apelon të gjithë të tjerët, të cilët kanë dhënë premtimet e tyre në mbrëmjen humanitare, që t’i bëjnë realitet ato duke i derdhur mjetet në xhirollogaritë zyrtare, të cilat mund t’i gjeni në ueb faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit” ka bërë të ditur Arbër Ismajli, shefi i Kabinetit të kryetarit të komunës. /2L ONLINE/