Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nxori për kryetar Lumir Abdixhikun, e të parin e partisë e ka uruar edhe Lutfi Haziri- Luta, i cili poashtu ishte në garë për këtë pozitë. Madje u shkrua shumë se ky urim i Hazirit u shoqëruar edhe me përqafim dhe premtime për mbështetje.
Por, cilat do të jenë reflektimet e këtij rezultati në Gjilan?! Në fakt, reflektime janë pritur po që se Haziri do ta merrte timonin e LDK-së. Kjo pritej t’i hapte rrugë ndryshimeve edhe në LDK-në e Gjilanit ku ai është i pari. Kryetari i ri i degës natyrshëm do të pritej të ishte edhe kandidati i LDK-së për kryetar komune, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vit.
Poashtu ndryshime do të priteshin të ndodhnin edhe në qeverisjen komunale, ku për të reflektuar ndaj humbjes tronditëse që kishte pësuar LDK, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, e ku edhe në nivel komune kishte dal keq, do të mund të ndodhte që të largoheshin nga detyra të gjithë drejtorët e drejtorive komunale, të cilat drejtori do të punonin me ushtrues detyre deri në zgjedhjet lokale.
Por, Haziri nuk ia doli ta merrte në dorë partinë. A do të thotë kjo se në nivel komunal tani gjërat nuk do të lëvizin nga ritmi i deritanishëm, për të vazhduar kështu deri në zgjedhje?!
Dhe, rrjedhimisht lind pyetja tani se kë do ta përqafojë Luta në Gjilan?! Kush do ta ketë bekimin për të tentuar ta kthejë në binarë LDK-në e humbur dhe ta ruaj qeverisjen e këtij subjekt në Gjilan edhe për një mandat?!
A do të jetë ky Arbër Ismajli, aktualisht nënkryetar i komunës?!
Ismajli është më i përfoluri, bile shpesh herë i atakuar edhe nga opozita, pasi disa veprime të ndërmarra nga pozita e nënkryetarit shiheshin si veprime fushate për të trasuar terrenin pikërisht për këtë kandidaturë. Po ashtu edhe në strukturat partiake ai kishte arritur që të përçonte mesazhin për një synim të tillë, andaj edhe ishte krijuar një atmosferë e mirë e gatishmërisë për ta mbështetur.
Po ashtu, një emër tjetër që përfolët është edhe ai i Faton Bislimit, madje për të pati mendime që mund të ishte kandidatë i mirë edhe për kandidaturë për kryetar partie në nivel qendre. Performanca e tij në rolin e deputetit ishte vlerësuar nga njerëz brenda e jashtë LDK-së, por tani ai nuk ia doli të futej sërish në Kuvend. A do ta kthej ky fakt interesimin e tij kah niveli lokal, mbetet të shihet!
Po ashtu mund të jetë edhe ndonjë emër tjetër që mund të dal në një moment të caktuar. Kjo nuk përjashtohet. Por, kë do ta përqafojë Luta si simbolikë e mbështetjes?! A mos ndoshta edhe “veten e tij”, pasi mund të shihet si i vetmi që mund ta tregojë fuqinë e tij edhe njëherë, në ngritje të LDK-së dhe në arritje edhe të një fitoreje.
Zaten, përkundër deklarimeve të shumta të Hazirit përgjatë këtij mandati si kryetar komune, se ai do të lëshonte rrugë kësaj here, së fundi pati “pishmane” për këtë. Mjafton një deklaratë e tij se po e kërkojnë strukturat dhe anëtarësia dhe se është momenti ta rikthejë LDK-në aty ku e ka vendin për ka fuqia dhe kjo do të ishte punë e kryer. Kush mund t’i dal përballë e ta kundërshtojë në LDK-në e Gjilanit?!
LDK e Gjilanit, përkundër që ka kundërshtarë të Hazirit përbrenda, duket se akoma nuk e kanë fuqinë për ta manifestuar këtë edhe publikisht me kundërkandidaturë, prandaj akoma ky subjekt në Gjilan është në fazën kur edhe nëse del dikush tjetër kandidat, duhet patjetër ta ketë dhe ta marr bekimin e Hazirit.
Sidoqoftë, mbetet të shihet se cilat do të jenë zhvillime e ardhshme, pasi rezultati i 14 shkurtit e kishte heshtur LDK-në dhe pushtetin në Gjilan për pak kohë. Pastaj, kjo qetësi u prish, për pak, nga entuziazmi që kishte LDK-ja në Gjilan, me besimin se Haziri do ta shtinte në dorë partinë, por që rezultati nga Kuvend Zgjedhor e solli sërish një qetësi edhe në LDK, edhe në pushtetin aktual. Megjithatë mbetet të shihet, sepse siç thuhet: “pas një qetësie, vjen stuhia”, e deri atëherë, dikush do të jetë në pritje të një përqafimi, i cili edhe mund të mos u vije! /Muhamet HALILI/ 2LONLINE.com/