Jo vetëm në luftën e fundit, SHBA-të ishin të vendosur për çlirimin e Kosovës nga okupatori shekullor serb, por SHBA-të gjithashtu dhanë dhe po japin kontribut të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. SHBA-të nëpër kohë me këmbëngulësi kanë mbrojtur edhe qëndresën e shtetit shqiptar, Shqipërisë.
Shkruan: Sami ARIFI
Shkaqesh që çuan deri te shpërthimi i Luftës së Parë Botërore ishin: Lufta japano-ruse, kriza e Marokut, kriza e aneksimit të Bosnje-Hercegovinës, lufta pushtuese e shteteve ballkanike kundër Peranorisë Osmane, si dhe së fundi shkasi kryesor, atentati në Sarajevë kundër trashigimtarit të fronit të Perandorisë së Habsburge më 28 qershor të vitit 1914. Këtë gjendje të krijuar të re, ndërkombëtare, e shfrytëzuan shtetet fqinje që lakmonin tokat e Shqipërisë. Pas shumë bisedave, Italia vendosi të bashkohej gjatë LPB me Fuqinë e Antantës, me të cilën nënshkroi në Londër, më 26 prill 1915, një Traktat të Fshehtë.
Në fillim, pas përfundimit të Luftës Parë Botërore, në Kosovë hyri ushtria franceze, shqiptarët nuk i bën rezistencë, ushtria franceze ndihmoi në vendosjen e administratës pushtuese, ndërsa Serbia, pasi vendosi administratën me ndihmën franceze, me anë të regjimit ushtarak e policor ushtroi terror e gjenocid shtetëror mbi shqiptarët.
Komiteti i Kosovës i quajtur “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili në programin e tij, që vepronte në Shkodër, kishte çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe demokratizimin e tij, ai themeloi degët në qendrat kryesore të Kosovës dhe mbajti lidhje të vazhdueshme me prijësit e Lëvizjes Kombëtare në teren, komiteti drejtohej nga atdhetari i shquar, Hoxhë Kadri Prishtina, ndërsa sekretar ishte Bedri Pejani, ky Komitet i Kosovës filloi punimet më 18 janar 1919.
Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë, në prill të vitit 1917, fillon kthesa vendimtare që lufta të fitohet nga Antanta në vjeshtën e vitit të ardhshëm, SHBA-të hyrjen në luftë e arsyetonin me përkushtimin për të vendosur një paqë të drejtë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore më 11 nëntor 1918, pra, pas fitores së Antantës, më 18 janar 1919 u mbajt në Paris Konferenca e Paqës me pjesëmarrjene: SHBA-ve, Anglisë, Francës, Italisë dhe të Japonisë. Presidenti i SHBA-ve, Uilson (Woodrow Wilson), do të hynte në bisedime në Konferencën e Paqes në Paris vetëm mbi bazën e një “diplomacie të re e të hapur”, kërkesat e tij ishin që kjo diplomaci të ishte në harmoni me 14 Pikat, Katër Parimet, dhe Pesë Saktësimet e tij. Kah mesi i janarit të vitit 1920 marrëdhëniet tensionohenmidis Presidentit Uilson dhe Kryeministrit të Francës dhe Britanisë së Madhe për çështjen shqiptare, më saktësisht për “akordin e 14 janarit të vitit 1920”, ku sipas këtij “akordi” Shqipëria humbë pavarësinë nga se i ndahet territori i saj Italisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, prandaj edhe kalojnë momente tensioni dhe krize.
Nga çështja që njeh zhvillime të reja në planin diplomatik, në përmbajtjen e qëndrimit të Presidentit Uilson (Woodrow Wilson) dallohen dy elemente kryesore: “një paqe e drejtë e demokratike”, dhe së dyti ishte “denoncimi i diplomacisë së fshehtë” i pasuruar nga botimi i Traktateve të fshehta të lidhura ose të miratuara nga qeveritë cariste. Në 14-të Pikëshin e Uilsonit kishte një pikë (pika 11) që i kushtohej posaçërisht problemeve të Ballkanit, ky ishte edhe një faktor favorizues për riaktualizimin e dukshëm të lëvizjes për rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë. Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Lasing më saktësisht më 20 janar të vitit 1920, dërgonte nëpërmjet ambasadorit amerikan Wallance një memorandum në adresë të kryeministrave Clemenceau (të Francës) dhe Loyd George (të Britanisë së Madhe) lidhur me çështjet e “akordit” që qëndronin ende në rendin e ditës të negociatave midisë Fuqive.
Në memorandum kërkoheshin disa shpjegime lidhur me procedurën e ndjekur në rreshtin e ngusht lidhur me “akordin e 14 janarit të vitit 1920”, bëhej vërejtje se SHBA-të nuk ishin konsultuar lidhur me mënyrën e zgjedhjes, madje protestohej në rast se do të merrej ndonjë vendim që do të linte jashtë Qeverinë e Amerikës dhe do të ishte në kundërshtim me pikëpamjet e saja. Lansing e përfundonte memorandumin, duke njoftuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ishte në gjendje të dërgonte një përfaqësues të nivelit përkatës në këshillin e kryeministrave, prandaj sygjeronte rikthimin në procedurën dilomatike normale për çështjet që prisnin ende një zgjidhje.
Presidenti Uilson (Wilson) në përgjigjen e tij të 10 shkurtit të vitit 1920, ndaj “akordit” të 14 janarit të vitit 1920, ai hidhte poshtë atë si “një marrëveshje të përgatitur pa dijeninë dhe pa miratimin e qeverisë amerikane”, nga toni i tij i prerë dukej qartë se Uilsoni e barazonte “akordin” me paktin e Londrës të 1915-ës dhe u kthehej përsëri argumenteve të tij kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës. Amerika nuk do të pranonte një rregullim të tillë të “çështjes së Adriatikut” në asnjë rrethanë, ai vazhdonte me një mbrojtje të apasionuar të parimeve të politikës së jashtme amerikane me këto fjalë: “Në sytë e Qeverisë sonë një zgjidhje e tillë është e pamundur të zbatohet, do të montohej kështu çdo element drejtësie, e cila për ne është esenciale nëse kërkohet edhe bashkëpunimi i Qeverisë sonë në plotësimin e kushteve të paqes”…
Për këtë theksonte, Presidenti- “ne nuk mund të japim pëlqimin tonë për një rregullim, i cili, qoftë nga termat e përmbajtjes së tij, qoftë nga metodat e përdorura për ta imponuar, përbën një mohim absolut të parimeve për të cilat hyri në luftë Amerika”. “Ne nuk mund të njohim, përfundonte ai, asnjë zgjidhje të padrejtë të bazuar në një Traktat të fshehtë, kushtet e të cilit janë të papajtueshme me situatën e re në botë, as edhe një rregullim të padrejtë që synohet të arrihet duke e përdorur këtë Trakt të fshehtë si një instrument shtrëngimi”. Ndërhyrjet dhe reagimet e Presidentit Uilson, nga një memorandum në tjetrin, sollën një frymë të re në rregullimin e problemeve që u shtruan në Konferencën e Paqes, prandaj në këtë mënyrë u krijua një raport i ri forcash në nivelin e Fuqive të Mëdha, dhe kështu u godit diplomacia e fshehtë.
Mendoj se këmbëngulësia e SHBA-ve nëpër kohë në mbrojtje të shtetësisë së shqiptarëve në të kaluarën historike argumentohet përmes librit “Roli i SHBA-ve dhe Pozita e Shqiptarëve Gjatë Viteve 1918-1945”, Prishtinë,2018; ofrohen të dhëna argumentuese nga arkivat perëndimore si dhe nga literatura e historiografisë kombëtare dhe ndërkombëtare./2LONLINE.com/
Kopertina e librit