Raporti i Progresit i Komisionit Europian sërish sfidon Kosovën në punën e saj përsa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Megjithatë, dy lajme të mira mbërritën në adresë të institucioneve kosovare këtë të mërkurë. Kosova nis negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit më 28 tetor, ndërsa në fillimvitin e ardhshëm pritet të ketë një raport pozitiv për liberalizimin e vizave.
Kjo për zyrtarët e BE-së e bën raportin e këtij viti një raport të mirë për Kosovën. Por, raporti adreson kritika të forta për Parlamentin dhe qeverinë e Kosovës për ndërhyrje të hapura në sistemin e drejtësisë.
“Debatet për proceset gjyqësore, si rasti “Kleçka” apo “Kiçina”, si dhe përpjekja e Kuvendit të Kosovës për të hetuar këtë të fundit, që ka kaluar të gjitha proceset gjyqësore, përbën një shqetësim të madh dhe është pengesë që Kosova të ndërtojë institucione të pavarura e demokratike”, vlerëson raporti.
Vërejtje po kështu bëhet për mospërfundimin e reformës zgjedhore. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ua dorëzoi krereve të shtetit raportin, kërkoi që reforma në fjalë të përfundojë para zgjedhjeve parlamentare.
Zgjedhjet e tre nëntorit do të jenë gjithashtu një test për të ardhmen dhe kjo është një nga pikat themelore që duhet të përmbushë Kosova./tch/