(2L ONLINE) – Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka shtruar sonte darkën e iftarit para Teatrit të qytetit, ku në mesin e qindra qytetarëve që e pritën iftarin ka qenë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nënkryetar Rexhep Kadriu, drejtorët komunal, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, deputetë e përfaqësues nga komunat e Anamoravës dhe Kosovës Lindore, të FSK-së, Policisë, Universiteti të Gjilanit, studentë e të tjerë.
Në emër të nikoqirit, kreu i KBI-së në Gjilan Sulejman Osmani tha se ky institucion fetar po vazhdon me traditën e saj duke shtruar sofrën e iftarit për kategori të ndryshme dhe edhe kjo para Teatrit me këto kategori të shoqërisë është në vazhdën e sofrave të përbashkëta që tani më po bëhet tradicionale për çdo Ramazan. Ai ka falënderuar të gjithë ata që pas një dite agjërimi iu kanë bashkuar sofrës së përbashkët të iftarit si dhe ka vlerësuar lartë edhe ata donatorë që e mundësuan këtë iftar.
Në këtë iftar ishte i pranishëm edhe kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i cili në fjalë ne tij tha se shembulli i sontëm që Bashkësia Islame në Gjilan e ka bërë, është ajo që ne duhet ta çojmë në shtëpitë tona, në familjet tona, te miqtë tanë, në mënyrë që sofrat të jetë të shtruara për ata që bëjnë sakrificën e madhe në muajin e madh të Ramazanit
“Jam i nderuar sot që si qytetar i Gjilanit dhe si njëri nga besimtarët e Bashkësisë Islame në Gjilan, t’ju përshëndes me selam, t’ju falënderoj dhe t’ju uroj këtë darkë të iftarit dhe lutem që Zoti të na pranojë këtë agjërim dhe këtë sakrificë që e bëjmë në emër Tij në këtë muaj të madh të Ramazanit. I përshëndes të gjithë sot që jeni prezentë në këtë darkë të madhe, deputet të Anamoravës, kryetar komunash nga Anamorava e nga Kosova Lindore, si dhe gurbetçarët tanë që kanë ardhur për të kaluar pushimet në Gjilan. Besoj shumë se shembulli i sontëm që kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, mulla Sylejman Osmani e ka bërë, është ajo që ne duhet ta çojmë në shtëpitë tona, në familjet tona, te miqtë tanë, në mënyrë që sofrat të jetë të shtruara për ata që bëjnë sakrificën e madhe në muajin e madh të Ramazanit përmes agjërimit, që na bënë të mendojmë dhe të bëjmë punë të hajrit në emër të Zotit, t’ju ndihmojmë njerëzve dhe të jenë të barabartë së paku në sofrën tonë”, tha Haziri.
Një fjalë rasti patën edhe myftiu Naim Tërnava dhe kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa, të cilët bënë thirrje që të gjithë shqiptarët të jenë unik dhe të punojnë për ardhmërinë e tyre. /2L ONLINE/