Rriten tensionet mes udhëheqësve fetar në Luginë të Preshevës duke u akuzuar dhe etiketuar përmes reagimeve dhe deklaratave në media.
Këshillat e Bashkësisë Islame (KBI) në Preshevë dhe Bujanoc kanë reaguar ndaj intervistës së fundit të Nexhmedin Ademit, koordinatorit të Grupit Punues për themelimin e Bashkësisë Islame unike në Luginë të Preshevës.
Akuzat kanë shkuar aq larg sa që institucioni fetar (KBI) përmes një reagimi publik shkëput marrëdhëniet me Nexhmedin Ademin, derisa ia numëron të “bëmat e tij”.
Shkak i prishjes së marrëdhënieve mes institucionit në fjalë dhe Ademit, sipas KBI-së është intervista e tij e fundit e dhënë në Televizionin Presheva.
“Protagonisti Ademi këtë shfaqje të tij të orkestruar në formë teatrale kryekëput e dinakërisht e ka bërë me tendencë se kinse ai na qenka një faktor uniteti në vazhdën e ecurisë së proceseve integruese në sferën e unifikimit dhe bashkimit të imamëve dhe teologëve tjerë në këto hapësira tona”, thuhet në një pjesë të reagimit të KBI-së, transmeton Titulli.
Duhet theksuar se koordinatori i grupit për themelimin e Bashkësisë Islame në Luginë, Nexhmedin Ademi, në emisionin e paradites në TV Presheva kishte reaguar lidhur me paraqitjen publike të Fikret Limanit, si myfti i bashkësive fetare në Luginë.
“Nuk është myfti i Luginës por është i emëruar nga Muhamer Zukorliq për myfti në këtë rajon” ishte shprehur Ademi.
Akuzat e fundit kanë shtuar edhe më shumë përçarjen mes dy Bashkësive Islame që veprojnë në Luginë, e kështu ka ndarë imamët e xhematin në dy tabore.
Pas këtyre reagimeve si duket Lugina ka shkuar mbrapa në formimin e një Bashkësie Islame unike e cila do të fliste në një zë për besimtarët mysliman shqiptar të këtij rajoni