Këshilli i Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan, ka vazhduar traditën në muajin Ramazan, për të shtruar iftarin tradicional “Iftari na bashkon”, ku bëri bashkë përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, ata të nivelit lokal, përfaqësues të institucioneve komunale e qendrore, subjekteve politike, të bizneseve, shoqërisë civile, mysafirë nga komunat përreth, por edhe qytetet tjera të Kosovës, përfaqësues, të OSBE, KFOR-it, e të tjerë.
Kryetari i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu, në fjalën e tij shprehu mirëseardhje për të gjithë të pranishmëve duke thënë se pikërisht qëllimi është për t’u bërë bashkë e për të qenë falënderues dhe mirënjohës ndaj njeri tjetrit për bashkëpunimin e deritanishëm, që ka KBI, me institucione dhe me të gjithë të tjerët dhe anasjelltas, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Ai ka bërë me dije se Këshilli i Bashkësisë Islame ka ngritur tani më një standard, një kulturë bashkëpunimi me të gjithë institucionet e vendit.
“KBI do të vazhdojë të mbetet faktor kyç në promovimin e paqes, të drejtësisë, barazisë, respektimit të vlerave dhe diversitetit në shoqëri”, ka thënë Aliui.
Ndërsa, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), të pranishmit i përshëndeti Kryeimami i Bashkësisë Islame, Vedat ef. Sahiti.
Ai tha se ndihet i nderuar, veçmas që ndodhet në këtë iftar të përbashkët në Gjilan, pasi edhe vet është nga ky qytet dhe se vlerësoi lartë KBI-në e Gjilanit që po e vazhdon këtë traditë që përmes iftarit t’i bëjë bashkë të gjithë, pikërisht, siç ishte mesazhi i kryetarit të KBI-së së Gjilanit, për t’u shprehur falënderimi, respekti dhe mirënjohja për të gjitha institucionet e vendit, për bashkëpunimin që e tregojnë në vazhdimësi me Bashkësinë islame, në veçanti me KBI-në në Gjilan, në të mirë të shoqërisë, transmeton 2LONLINE.com.
Në emër të Komunës së Gjilanit foli, Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, i cili tha se ndihen të nderuar që marrin pjesë në këtë organizimi të Këshillit të Bashkësisë Islame , organizim tradicional, që ka për qëllim për t’i bërë bashkë të gjithë , që në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, të jenë të barabartë dhe të reflektojnë për angazhimet e tyre. Ai u ka uruar agjërim të lehtë të gjithëve në këtë muaj të Ramazanit.
Në fund, u organizua edhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve pasi paraprakisht, nga Bashkësia Islame e Kosovës dhe Këshilli i Bashkësisë Islame e Gjilanit, u organizua gara në leximin e Kuranit “Gara Kuranore në Muajin e Ramazanit”, me këtë rast për të gjithë fituesit, u ndanë mirënjohje. /2LONLINE/