Pas marrëveshjes greko-turke në janar të vitit 1923 në Lozanë të Zvicrës, në mënyrë të detyrueshme u shkëmbyen më se 500.000 vetë, me shumicë shqiptarë myslimanë nga Greqia për në Turqi, por, që pati shkëmbim edhe nga Turqia për në Greqi, përveç grekëve, edhe shqiptarë ortodoksë.
Shkruan: Sami ARIFI
Turqia pas Luftës së Parë Botërore ishte e pushtuar në perëndim nga grekët, në jug nga francezët dhe në lindje nga italianët. Në Turqi gjatë kësaj kohe kishte dy pushtete, ai në Stamboll që udhëhiqej nga sulltani për të mbetur edhe me aq pak pushtet, ai (sulltani) pranonte çdo gjë nga pushtuesit, dhe në anën tjetër ishte pusheti i cili funksiononte përmes rrezistencës kundër pushtuesëve grek, francez dhe italian i udhëhequr nga Qemal Ataturku në Ankara. Pas mposhtjes së pushtuesëve grek, francez dhe italian përmes rezistencës turke të udhëhequr nga Qemal Ataturku u arrit marrëveshja e paqes në Lozanë në korrik të vitit 1923, ndërsa më 29 tetor Turqia shpalli pavarësinë.
Pas kësaj marrëveshjeje të ashtuquajtur e “Paqes së Lozanës”, shqiptarët myslimanë dhe ortodoksë ishin viktimë e terrorit dhe gjenocidit në dy anët e kufirit, si nga ana greke ashtu edhe nga ajo turke.
Shqiptarë myslimanë të Epirit të Maqedonisë që u detyruan të merrnin rrugën për në Turqi, ata ishin më se 384.000, ndërsa nga Turqia për në Greqi ishin më se 150.000 grekë, ku në mesin e tyre kishte edhe një numër shqiptarësh ortodoksë, ku të gjithë shqiptarët ortodoksë të qytezës së Ibrik-Tepesë (Ibrik-Tepe qytezë ku lindi dhe u rritë Fan S. Noli në Turqi) u hodhën në anën perëndimore të lumit Marica, që shënonte kufirin ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.
Qeveria greke dha urdhër që pjesa dërmuese e këtyre shqiptarëve ortodoksë të vendosen në një rajon moçalik dhe malerik të Maqedonisë. Qindra sish vdiqën si mizat.
Ata që mbetën gjallë u arratisën për të shpëtuar kokën dhe u bashkuan me proletarët e uritur të Selanikut, ku gjetën vdekjen në skamje dhe mjerim. Ky qe edhe fundi i kolonisë shqiptare të Ibrik-Tepesë të ardhur ngaTurqia në Greqi afër kufirit, që u shpërngulën sipas marrëveshjes greko-turke të ashtquajtur “Traktatit të Paqes së Lozanës”. Asnjë shqiptarë nuk mbeti atje (në Ibrik-Tepe) ata (shqiptarët ortodoksë) u zëvendësuan në turq nga Maqedonia dhe Thrakia. (Fan S. Noli: VEPRA. 5; Autobiografia, Betoveni e Revolucioni francez, Prishtinë, 1988. fq, 90,91.)
Patriotët shqiptarë ortodoksë ishin të persekutuar nga Patriarkati grek i Konstandinopojës me anë të ekskomunikimeve. Pra, Patriarkati grek gjithmonë kishte qenë degë e qeverisë greke dhe i persekutonte shqiptarët ortodoksë po aq me ashpërsi sa edhe vet Turqia. Politika greke kishte për qëllim të helenizonte shqiptarët ortodoksë nëpërmjet shkollave dhe posaçërisht nëpërmjet kishave të tyre dhe të aneksonte Shqipërinë e Jugut aty ku dominonte elementi ortodoks. (Noli Vepra. 5.fq, 109.)
Me traktatin e Lozanës Athina shfrytzonte rastin për të hequr qafe kombësinë shqiptare myslimane brenda kufijve të saj. Për shqiptarët ortodoksë, që ishin në Greqi, mendonte, meqë kishin konfesion të njëjt si grekët, mund t’i asimiloi më lehtë. Në verë të vitit 1924 u duk qartë se për popullatën shqiptare të Çamërisë po krijohet një gjendje tepër e rëndë, pra, dëbimi nga tokat e tyte mori përmasa shqetësuese masive.