Sot u shënua Dita Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, sot ka vizituar selinë e Kryqit të Kuq në Kamenicë, për nder të ditës Botërore të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Kastrati ka falënderuar Kryqin e Kuq për punën shumëvjeçare që ka bërë në Kamenicë, e sidomos gjatë kohës së pandemisë.
“Kryqi i Kuq në qytetin tonë përpos punës shumëvjeçare, bashkë me vullnetarët është duke bërë një punë të madhe edhe në këtë kohë pandemie. Vullnetarët punojnë vazhdimisht pa ndalë dhe nuk paguhen, jo pse nuk kanë vlerë por nuk ka çmim në botë që e paguan angazhimin e tyre për komunitetin”, ka thënë Kastrati.
Gjithashtu edhe Kryetari i kësaj organizate, Enver Ajvazi duke falënderuar stafin e Kryqit të Kuq, ai ka uruar të gjithë në Ditën Ndërkombëtare të tyre.
“Falënderojmë të gjithë aktivistët e vullnetarët që kanë ndihmuar gjithmonë, sidomos në këto ditë të vështira që nuk janë kursyer aspak që t’i dalin në ndihmë të gjithë personave në nevojë”, tha ai.
Ndërsa në anën tjetër, edhe sekretari i Kryqit të Kuq në Kamenicë Rexhep Morina ka falënderuar vullnetarët që kanë ndihmuar në vazhdimësi të gjithë
“Ne si Kryqi i Kuq kemi një armatë të vullnetarëve mbi 800 persona të regjistruar, ndërsa për këtë kohë të pandemisë kemi angazhuar 20 vullnetarë të cilët janë në gatishmëri çdo ditë dhe çdo kohë”, ka thënë Morina.