Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me nënkryetarin e komunës, Bojan Stamenkovic, kanë pritur në takim Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Kamenicë, Ferid Dermaku, sekretarin e Këshillit të Bashkësisë Islame, Bujar Fera, përfaqësues nga Kisha Ortodokse, Priftin Srdjan Milenkovic dhe Srdjan Stankovic, si dhe përfaqësues nga KFOR-i amerikanë Nënkolonel Jacob Scott (Klerik i Komandës Regjionale Lindje), Toger Parker Mooney ( Komandant i Ekipës për Monitorim dhe Ndërlidhje LMT-Kamenicë, Novobërdë, Ranilug).
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me bashkëjetesën në mes të dy komuniteteve në Komunën e Kamenicës dhe për shqetësimet e tyre.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, tha se komuna e Kamenicës duhet të jetë shembull për të gjithë për tolerancën dhe bashkëjetesën në mes të të gjitha komuniteteve.
“Jam i lumtur që sot jam këtu në mesin tuaj, ju falënderoj për pjesëmarrjen. Ju jeni shembull për të gjithë për bashkëjetesën dhe tolerancën e përquar tek të tjerët nga të dy palët. Gjithashtu falënderoj edhe KFOR-in amerikanë, që gjithmonë është i gatshëm për të ndihmuar komunën tonë”, shtoi mes tjerash Kastrati.
Ndërsa përfaqësuesit e të dyja komuniteteve duke falënderuar komunën dhe KFOR-in për këtë takim, thanë se ata asnjëherë nuk kanë pasur probleme ndëretnike apo fetare në mes vete.
“Në Kamenicë gjithmonë ka pasur tolerancë dhe bashkëjetesë të mirë, duke mos pasur kurrë probleme në mes vete. Ne gjithmonë mundohemi të përçojmë tolerancë tek të gjithë qytetarët, këtë e kemi trashëguar nga e kaluara dhe do të vazhdojmë ta kultivojmë edhe më tutje”, tha Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Ferid Dërmaku.
“Falënderoj kryetarin e komunës, përfaqësuesit nga KFOR-i, si dhe kolegët nga feja islame për pjesëmarrjen në këtë takim. Ne punojmë të gjithë së bashku në tolerancë për të qenë shembull tek të tjerët”, shtoi Milenkovic.