Komuna e Kamenicës së bashku me Caritasin Zviceran, kanë shpërndarë pjesën tjetër të materialeve nga granti për mbështetjen dhe promovimin e prodhimtarisë bujqësore në këtë komunë.
14 fermerë kanë përfituar nga ky grant komplet pakon nga fidanet, sistemin e ujitjes, sistemin mbështetës, rrethojat, plehun, materialin mbrojtës dhe mjetet tjera përcjellëse.
Kryetari i Komunës së Kamenicë, Qëndron Kastrati, ka falënderuar Caritasin për mbështetjen e vazhdueshme dhe Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për punën e palodhshme për t’i dal në ndihmë fermerëve.
“Nga vazhdimi i projektit me Caritasin, për t’u dalë në ndihmë fermerëve bëmë shpërndarjen e pjesës tjetër të materialeve për ta. Rrethojat për parcelat e tyre, do t’u shërbejnë për sigurinë e kulturave bujqësore varësisht nga veprimtaria që kanë. Faleminderit stafit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural për angazhim të vazhdueshëm në secilin proces”, tha Kastrati.
Ndërsa, Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Naim Arifi, tha se komuna dhe DBPZHR do të jetë afër dhe në mbështetje të fermerëve dhe bujqëve gjithmonë.
“ Falënderojmë Caritasin Zviceran për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, komuna dhe DPBZHR do të mbështesë gjithmonë fermerët e Kamenicës”, tha Arifi.