Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizimit, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka takuar disa nga vullnetarët që kanë kontribouar vazhdimisht në këtë periudhë, ku i gjithë vendi po përballet me pandeminë COVID-19.
Sipas Kastratit, nuk ka asnjë çmim që mund t’a paguaj punën e vullnetarëve por, për t’ua shprehur falënderimin për kontributin e pashoq, ai u ka ndarë mirënjohje secilit prej tyre.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, kam takuar dhe u kam ndarë mirënjohje të gjithë vullnetarëve që punuan pa ndalë në këtë periudhë të pandemisë. Duke filluar nga ana logjistike e deri tek ajo profesionale!”, tha ai.
I pari i komunës tha se ndihet krenar me secilin prej tyre, duke filluar nga ata që janë marrë me logjistikë e deri tek ata që kontributin e tyre e kanë dhënë në nivel profesional.
“Faleminderit që ishit pranë secilës familje kur kishin nevojë, kurse ju doktorë e infermierë, faleminderit që i dolët në krah stafit shëndetësorë në momentet më të vështira.”, shtoi mes tjerash Kastrati.
Për shkak të pandemisë dhe mbylljes që ndodhi në nivel vendi, vullnetarë të shumtë janë lajmëruar që të asistojnë aty ku ka nevojë. Në mesin e tyre, doktorë, infermierë, laborantë, studentë nga fusha të ndryshme, e shumë qytetarë që ofruan në dispozicion çkado që ishte nevoja.
Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit shënohet çdo vit më 05 Dhjetor, si shenjë mirënjohje për kontributin e vullnetarëve në organizata, institucione lokale e nacionale. /2LONLINE.com/