Kryetari i Komunës sv Kamenicës, Qëndron Kastrati ka nënshkruar kontratë me Nexhmedin Isenin, pronar i subjektit ekonomik “Joni Ranch SH.P.K”, për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe drejtoresha e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës Majlina Krasniqi, dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural Naim Arifi.
Kryetari Kastrati ka thënë se në këtë pronë komunale do të implementohet projekti i stallës për kuaj, poligon për kalërim dhe gastronomi.
“Filluam me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për projekte zhvillimore që gjenerojnë vende të reja të punës, sjellin risi, e qe rrisin mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës. Sot nënshkruam kontratën me subjektin ekonomik Joni Ranch SH.P.K, pronar i të cilit është Nexhmedin Iseni. Nexhmedini është bashkëqytetar i yni qe jeton dhe vepron në Zvicër, por ka shprehur interesim për të investuar në komunën tonë. Në pronën komunale të dhënë në shfrytëzim, do të implementohet projekti i stallës për kuaj, poligon për kalërim dhe gastronomi”, ka thënë ai.
Drejtoresha e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës Majlinda Krasniqi tha se investimet e tilla janë të mirëpritura për Komunën e Kamenicës.
“Diaspora gjithmonë ka ndihmuar komunën tonë me ndihma të ndryshme. Kësaj radhe kemi një investim i cili do të jetë mjaft tërheqës për qytetarët e Kamenicës”, ka thënë ajo.
Kurse drejtori i Drejtorisë për Pylltari, Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Naim Arifi tha se çdo investim që synon zhvillimin e Kamenicës ka prioritet.
“Komuna i ka dyert e hapura për investitorët të cilët sjellin projekte që synojnë të zhvillojnë Kamenicën”, ka thënë ai.