Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, të hënën ka firmosur me klubin më të madh kroat të futbollit, Dinamo Zagreb.
Reprezentuesi i Kosovës do të luajë si huazim te Lokomotiva e Zagrebit deri në fund të edicionit aktual e më pas do t’i bashkohet skuadrës së tij të re.
Kastrati 21-vjeçar, vetëm sa forcon lidhjen e Dinamos së Zagrebit me futbollistët shqiptarë. Te Dinamo kanë luajtur futbollistë të njohur shqiptarë, ndërsa disa prej tyre kanë shkruar histori me gjigantin nga Zagrebi.
Kastrati shpreson ne suksese me ekipin e ri, që te Lokomotiva është prej vitit 2017.
“Prej kur kam ardhur në Kroaci kam shpresuar se një ditë do të përfundojë te Dinamo. Tani dëshira më është plotësuar. Dua t’i falënderojë të gjithë që kanë marrë pjesë në këtë dhe që më kanë mundësuar të jem pjesë e institucionit më të madh të futbollit në këto hapësira”, ka thënë Kastrati, që ka firmosur për pesë vite me Dinamon.
Dinamo aktualisht e ka kapiten Arijan Ademin, që me prejardhje është nga Maqedonia Veriore. Ademi është reprezentues i Maqedonisë Veriore me të cilën Kosova takohet më 26 mars në Shkup në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Euro 2020.