Nga Reis Mirdita
(Metamorfoza nën sundimin e qenieve të errëta) –XIX-
N’atë shtëpi përdhese, dydhomëshe, me një sanxhak në mes të oborrit ku zakonisht mbilleshin lule a gjelbërime të ndryshme, rrinte grumbulli i hirit dhe ûna të nxira që do të digjeshin nga herët ditën e nesërme… Mandej bëhej vonë ndoshta se klientët e Zikanës vinin nga lindja e diellit, andaj kazanit të saj t mbushur hekurishte nga më të ndryshmet dhe ujin e turbulluar si të govatës së farkëtarit, duhej t’i shkonte avulli në kohë të duhur.
Zikana, një grua rreth të tridhjetave, kur e kam takuar herën e parë, mu këtu pranë kazanit të saj, më pat thënë:
-Ti nuk je këtu për zor! Ke ardhur vetëm me më turbullua ujin, me m’i zmbrapsur klientët që kanë nevojë për shërim!
-Ti e din mirë pse jam këtu! Desha personalisht të vërtetohem. Tash e di më që nuk je grua dhe thjeshtë sihirbërëse. Ti së pari je xhinde me duke njeriu! Ti ke një fëmijë, do të kesh ende por më e keqja është se edhe ata do të jenë xhinde si ti sepse nuk do të ngjizen me burrin tënd që e ke shndërrua në mjeran…
-I tillë ka qenë, – më ndërpreu Zikana. Unë nuk desha të vazhdoj më tutje. Dola nga oborri i saj dhe eca drejt rrugës së madhe drejt qendrës së qytetit. Dhe nuk kalova tutje urës së çeliktë. Diçka më thoshte të kthehem rishtas në oborrin e errët të xhindes. Vetëm tash m’u kujtua shelgu lotues në këndin jugor të shtëpisë ku kishte një gjiriz për të derdhur ujërat e të lanave. Enë e pelena, aty derdhej llumi. Hyra pa trokitur! Zikana ishte në seancë të rëndësishme me një klient të shtrirë mbi një cergë të vjetruar e të ndyrë. Sytë e hapur si krokodil e dhëmbë identik me kaun e Ruzhdisë barkmadh të Mëhallës së Jevgëve dhe vetëm bërtiste me zë krrokatës sikur e kishin djegur me gacë cigareje në ballë. U afrova pranë tyre. Zikanja nuk e prishi aspak tretmanin. E dinte se nuk do të përzihem. Një xhinde e vërtetë që shpesh lexonte mendimet e njerëzve ose ia pëshpëritnin shoqe e shokë të të njëjtit fis. I sëmuri filloi të qetësohet dhe duke shkumuar ankohej se e rrihnin do njerëz të mëdhenj e të panjohur. Zikanja ia hodhi një safë tualeti me ujë, ia krisi dy shuplakë të tmerrshme dhe njeriu heshti! U çua ngadalë, fshiu shkumën dhe ujin e hedhur në fytyrë, falënderoi shëruesen e vet duke ia shti në dorë një bankënotë të majme, gjithë me shpresë se kësaj herë u shërua përgjithmonë, u nis derës së lamës, aty ktheu kokën për një çast, më shikoi me përkulje mëkatari dhe iku pa zë.
-Unë nuk bëjë vetëm keq, m’u drejtua xhindeja sikur për arsyetim.
-Jo, -i thash, – ti nuk bënë asgjë të mirë. Edhe ky “shërim” hyn në të këqijat tua me gjithë ato të sojit tënd. Ti je akoma më e keqe nga se merresh me magjia sikur ndonjë magjistare e pistë.
-Do të më njohësh mirë ore kryeneç. Do të hakmerrem për këtë! Nuk më dinë mirë mua. Hakmarrja ime do të jetë fundi yt.
-Shpresoj se nuk do të më lësh në harresë “xhindja e xhindeve” – iu përgjigja dhe dola me hap krenar. Zikana pësoi një disfatë të vogël përpara njeriut të drejtë.
(Vazhdon)