Dymbëdhjetë shtetas të huaj janë gjetur të fshehur në furgonin i cili është ndaluar në pikën e pagesës së autostradës “Nais”, kurse edhe dhjetë të tjerë ishin në veturën tjetër i cila tentoi ti ikë policisë.
Furgoni i markës “Opel” drejtohej nga Kadriji F. (20) nga Presheva dhe kundër tij të martën është ngritur padi penale për dyshimin se ka bërë trafikim me qenie njerëzore. Në mesin e dymbëdhjetë shtetasve të huaj pa dokumente udhëtimi, të cilët gjendeshin në furgon, ishin edhe dy fëmijë.
Makina e dytë ka tentuar që ti ikë patrullës policore, mirëpo shoferi ka humbur kontrollin ndaj veturës duke dalë nga rruga. Në këtë veturë, siç thotë kumtesa e policisë, ishin 10 emigrantë, transmeton Titulli.
22 shtetasit e huaj, që kryesisht vinin nga Eritrea, Afganistani dhe Siria, në Serbi kanë hyrë nga drejtimi i Maqedonisë. Prej këtyre 22-ve, pesë kanë kërkuar azil, ndërsa 17 të tjerët janë dërguar te gjykatësi për kundërvajtje i cili i ka caktuar dënim në të holla me nga 14.000 dinarë, apo dënim me burg prej 14 ditëve.
Vlen theksuar se ky është rasti i dytë brenda shtatë ditëve që preshevarët janë të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore.
Më datë 14 të këtij muaji Ejup S. (20) nga Presheva u kapë gjatë trafikimit të tetë emigrantëve në vendin Katun, në autostradën Nish-Beograd.
Ai me këtë rast kishte tentuar ti ikë policisë duke kërcyer nga vetura e cila ishte në lëvizje