Në ditën e tretë të Lojërave Olimpike në Soçi sukseset më të mëdha i arritën sportistët kanadezë, të cilët fituan dy medalje të arta, derisa nga një të artë e fituan edhe Holanda, Franca dhe Gjermania. Kësisoj, Kanadaja e mori pozitën e parë në renditjen e medaljeve, me gjithsej 7 medalje, prej tyre 3 të arta, 3 të argjendta dhe një të bronztë.
Kanadezi, Alex Bilodeau e mbrojti titullin e kampionit olimpik në skitari të lirë në disiplinën modul, me 26,31 pikë. Medalja e argjendtë i takoi bashkëkombësit të tij, Mikael Kingsburya (24,71), kurse ajo e bronztë rusit, Aleksandar Smisljajev. Medalje tjetër të artë Kanadasë i solli Charles Hamelin, i cili triumfoi në rrëshqitje të shpejtë në akull në 1.500 metra, me kohën 2:14,985 minuta. Medalja e argjendtë i takoi kinezit Tianyu Han (2:15.055), derisa ajo e bronztë rusit Viktor An (2:15.062). Në garën e rrëshqitjes së shpejtë në 500 metra të gjitha medaljet u takuan holandezëve. Medalja e artë i takoi Michel Mulder, me 69,312 sekonda, kurse pas tij u radhitën Jan Smeekens (69,324) dhe Ronald Mulder (69,46). Ndërkohë, në garën e biatlonit në 12,5 km, epitetin e kampionit olimpik e fitoi francezi, Martin Fourcade, i cili kishte vetëm një dështim në gjuajtje në shënjestër, duke fituar në fund me 14,1 sekondë epërsi ndaj çekut, Ondrej Moravec, derisa medaljes së bronztë iu gëzua francezi tjetër, Jean-Guillaume Beatrix.
Pasqyra e medaljeve
1. Kanadaja 3 të arta, 3 të argjendta, 1 të bronztë
2. Holanda 3 – 2 – 2
3. Norvegjia 2 – 1 – 4
4. SHBA 2 – 0 – 3
5. Gjermania 2 – 0 – 0
/RTK/