Futbollisti gjilanas në radhët e Dritës, Ardian Limani, mund të mos jetë kapiten dhe as lojtar i klubit të fëmijërisë nga sezona e ardhshme.
Kjo pasi, Limanit i skadon kontrata me Dritën në qershorin e këtij viti dhe ofertat për të vetëm sa kanë filluar.
Kapiteni i ‘bardhekaltërve’ tashmë ka rënë në sy të kampionit aktual të Shqipërisë, Partizanit dhe kontaktet për një transferim të mundshëm tashmë kanë filluar.
Mbrojtësi e ka pohuar vetë se ka pasur kontakte, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje.
“Po kam pasur kontakte me Partizanin. Ata janë shumë të interesuar të nënshkruajnë me mua, por që ende nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje”, ka deklaruar Limani.
Ai ka vlerësuar lart Partizanin, por potencon se ende nuk ka vendosur për të ardhmen.
“Partizani është njëra nga skuadrat më të mëdha në Shqipëri dhe më vjen mirë që më kanë vlerësuar dhe më kërkojnë. Personalisht ende nuk kam vendosur nëse do t’i bashkohem atyre, do të vazhdoj me Dritën apo do të nënshkruaj me ndonjë skuadër tjetër. Pas mbylljes së kampionatit do t’i analizoj të gjitha ofertat dhe do të marr vendimin përfundimtar”, ka thene ai.
Limani ka nisur karrierën te Drita, ishte pjesë e Feronikelit për dy sezone për tu rikthyer më pas në klubin e fëmijërisë. Titullin kampion e kishte fituar me Feronikelin, e më pas edhe me Dritën dhe Superkupën si dhe shkëlqeu në garat ndërkombëtare, ku Drita kaloi grupin.