Kampionati i ri në Superligën e Kosovës në futboll do të nisë më 16 gusht. Një vendim të tillë e mori, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës. Njëkohësisht KE i FFK-së mori vendim që Kuvendi i rregullt i punës të mbahet më 29 gusht në orën 17.00. Në këtë mbledhje KE analizoi edhe rrjedhën e Kampit Edukativ Nacional U-15, të pestin me radhë.
“Komiteti Ekzekutiv konstatoi se organizmi i kampit, zhvillimi i ndeshjeve, mbikëqyrja nga ana e Shtabit të përfaqësueses bashkë me trajnerët e rajoneve ishin pika që dëshmuan edhe një herë se FFK-ja po bën një punë të jashtëzakonshme për grup-moshat e reja. Gjatë ditëve sa ka zgjatur kampi futbollistët e rinj kanë dëshmuar cilësi, disiplinë dhe frymë sportive. Po ashtu vlen të përmendet edhe interesimi i futbollistëve të rinj nga diaspora dhe që në të ardhmen duhet të përfshihen sa më shumë në këtë kamp”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për shkak të mosplotësimit të numrit të mjaftueshëm për shkollim për licencën “A” të trajnerëve, ka vendosur që t’ua mundësojë trajnerëve që kanë aplikuar për këtë licencë që të udhëheqin ekipet e Superligës deri në terminin e ri që parashihet të mbahet në fund të nëntorit apo në fillim të dhjetorit të këtij viti.